
Partia Demokratike dhe opozita iu rikthyen protestave para Kryeministrisë, ndonëse pjesëmarrja ishte më shumë se modeste.
Gazetari Mariglen Kume, në një lidhje për “MCN Live”, tha se Sali Berisha prezantoi atë që e quajti “Foltorja 2”, një platformë e përjavshme që do të zhvillohet para godinës së qeverisë.
Kjo “foltore” në bulevard, sipas tij, po shihet si një alternativë për deputetët opozitarë, të cilët, nuk po gjejnë hapësirë për të folur në seancat plenare.
Dje u zhvillua protesta e PD-së, të cilën Berisha e quajti “Foltorja shqiptaro-parlamentare”.
Për momentin, strategjia e tyre parashikon që kjo iniciativë të jetë e përjavshme. Pra, sa herë të ketë seancë parlamentare, PD-ja do të thërrasë qytetarët dhe deputetët e saj për t’u mbledhur para Kryeministrisë, ku do të zhvillohet foltorja.
Duhet theksuar se nuk ka ende një vendim që opozita do të bojkotojë punimet parlamentare në ditët e protestave. Parashikohet një kombinim i pjesëmarrjes parlamentare me protestën, pasi opozita pretendon se mazhoranca u ka kufizuar të drejtën e fjalës dhe të shprehjes së mendimit, në kundërshtim me rolin që u njeh Kushtetuta.
Sa i përket pjesëmarrjes së ulët në protestën e djeshme, drejtues të PD-së argumentuan se nuk bëhej fjalë për një protestë kombëtare, por për një mobilizim të strukturave të Tiranës. Qëllimi, sipas tyre, ishte krijimi i një foltoreje të radhës për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët.



