Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon, njoftoi planet për një referendum të dytë për pavarësinë nga Britania që pritet të mbahet në tetor të vitit të ardhshëm.
Sturgeon gjithashtu u shpreh se do t`i kërkojë kryeministrit britanik, Boris Johnson, pëlqimin për mbajtjen e referendumit dhe në rast të një përgjigjeje negative, do të ndërmarrë hapa ligjorë.
“Çështja e pavarësisë nuk duhet neglizhuar. Ajo duhet të zgjidhet në mënyrë demokratike, është një proces që kërkon vendosmëri dhe besim”, u shpreh Sturgeon anëtarëtve të Parlamentit.
Ajo çka nuk do bëj kurrë, është të lejoj demokracinë skoceze të bëhet i burgosuri i Boris Johnson apo ndonjë kryeministri tjetër.
Më parë, Johnson ka refuzuar t`i japë lejen Parlamentit Skocez për mbajtjen e referendumit, duke e motivuar këtë qëndrim me faktin se prioriteti kryesor për Britaninë ishte presioni ekonomik me të cilin vendi po përballej.
Skocia ka një popullsi prej 5.5 milionë banorësh. Në referendumin e vitit 2014, ata e refuzuan pavarësinë. Por qeveria gjysmë autonome e Skocisë thotë se largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian, i cili u kundërshtua nga shumica e skocezëve, mund t’i ketë bërë të ndërrojnë mendje shumicën e skocezëve.



