Analisti Ben Andoni komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV ndryshimet që pritet të sjellë Presidenca Trump në raport me Europën dhe rajonin. Andoni theksoi se Trump pritet të sjellë ndryshime rrënjësore. Ai vë në dukje se rishikimi i ndihmave nga agjencitë amerikane do ndikojë te ne, veçanërisht në Kosovë. Andoni mendon se Elonj Musk ka një lloj arrogance, dhe nga përplasjet e këtij të fundit Trump do të marrë goditjet e para si President.
“Amerika është imperialiste dhe në një farë mënyrë nuk e mohon. Dihet se si përmes forcës i arrin qëllimet. Ardhja e z.Trump është pritur si ardhja e funksionarit të tretë të Shtëpisë së Bardhë që do bëjë ndryshime vërtet rrënjësore. Është individ që s’ka shumë qasje me kulturën dhe vizionin. Të sjellë individë të tillë në poste kaq të fuqishme, besoj që janë shumë larg atyre personaliteteve që të përmenda më parë. Bota sot s’është më bipolare. Kemi një botë disa polare, është Kina, India, Rusia. Fjala e Trump sjell një realitet krejt të ri. Goditja më e parë është që u largua nga Marrëveshja e Parisit. Për ne është rishikimi i ndihmave që ata kanë. Kur them për ne, e kam fjalën edhe për Kosovën. Pastaj vijon pjesa e emigrantëve që z.Trump po e shpall si emergjencë kombëtare. Besoj që z.Trump ka një përparësi në këto ditë të para sepse lufta në Gaza mori një lloj drejtimi. Ndoshta togfjalëshi që tha ‘do hapim portat e ferrit’ i ka shtangur izraelitët dhe palestinezët. Pjesa e demokracisë liberale ka marrë goditje shumë të mëdha. Interesante ka qenë pjesa për familjen, që besoj është e drejtë”.
Duke folur mbi figurën e Musk-it dhe rritjen e të djathtës në Europë, Andoni u shpreh:
“Duket që përkimi i kësaj rryme amerikane shkon shumë në të djathtën. Por për fatin tonë të keq e djathta që e përkrah është ekstreme. E djathta po merr jetë në Austri, po frymon në Gjermani, në Francë ka një frymëmarrje të madhe. Në vendet e tjera e majta ka mbyllur një cikël të madh në Europë. Musk ka një lloj arrogance, që besoj goditjet e para që do ketë Trump, do i marrë nga përplasjet që do ketë Musk. Përplasjet e para do vijnë përmes strukturës së shtetit amerikan. Sa më shumë institucione të ketë aq më shumë i bëjnë keq demokracisë. Musk ka kaluar pak në një lloj ekstravagance pushteti, që nuk është se po pritet mirë. Edhe në platformën X ka gjithmonë e më shumë braktisje. Europa, paçka problematikave, është partneri më i sigurtë, më jetgjatë dhe i besueshëm për SHBA. Trump do që ta mbajë pak Europën larg, t’i shtojë tarifat, ta krahasojë edhe me partnerët e tjerë që ka. Besoj që shteti amerikan duhet të jetë i kujdesshëm sepse Europa është mjaft fleksibën dhe ka ditur t’i gjejë tregjet”.
I pyetur a do të ndikojnë këto zhvillime te ne, Andoni tha:
“Për 90 ditë pezullohen të gjitha ndihmat që lëvron shteti amerikan përmes agjencive. Një nga agjencitë është USAID. Te ne rrezikohet Kosova. Duke menduar që ka edhe malin e masave shtrënguese të BE, mendoj që është shqetësuese”.



