Nëse hyn në faqet e shumë mediave online në Shqipëri, do të shohësh se aty reklamohen produktet e duhanit. Në këto reklama jepen të dhëna si çmimi i produktit dhe ditët e promocionit.
Ndërkohë këto reklama kanë dhe një truk shumë interesant ku shkruhet: "Ky produkt nuk është i padëmshëm", një mesazh ky i paqartë, që në të vërtetë nënkupton se ky produkt është i dëmshëm.
Pasi klikon te reklama, menjëherë kalon në faqen e këtij produkti, ku duhet të vendoset mosha, pa kërkuar në fakt asnjë mjet identifikimi. Po ashtu aty mjafton të vendosësh një numër celulari dhe një qytet, për ta përdorur duhanin për 14 ditë falas.
Ndërkohë në ligjin 9636 "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit" në nenin 13 dhe 14, thuhet qartësisht se "Ndalohen reklama dhe promovimi i produkteve të duhanit nëpërmjet medias së shkruar, transmetimeve televizive e radiofonike dhe shërbimeve të shoqërive të informacionit".
As parashikimet e ligjit duket se nuk i kanë penguar mediat që të promovojnë produktet e ndaluara të duhanit.



