
Në Tiranë, rreth 50% e qytetarëve e kanë kaluar Covid-19. Ky është rezultati i një studimi seroepidemiologjik që ka kryer Akademia e Shkencave për periudhën qershor-dhjetor.
Sipas akademikut Genc Sulçebe dhe prof. Alban Yllit, të cilët bënë të ditura rezultatet e studimit, popullsia e Tiranës ka fituar 50% imunitet, ndërkohë që në pjesën tjetër të Shqipërisë imuniteti është 25%.
“Në Shqipëri, niveli i imunitetit dhe i kontaktit me virusin duket se është 25%. Imuniteti është ende i ulët, përveç Tiranës, ku presim valë më të ulta. Në Tiranë imuniteti është 50%, por ende popullata e përgjitshme ka potencial të qarkullojë virusin. Është lajm i mirë imunizimi në kryeqytet, por nuk ka arsye të festojmë”, tha Ylli.
Ky është studimi i dytë që kryen Akademia e Shkencave lidhur me imunitetin ndaj Covid-19. Nëpërmjet E-grupit “Në ndjekje të pandemisë”, grupi i studiuesve kreu një studim paraprak për reagimin e imunitetit dhe të fituarit e autoimunitetit në muajt maj-korrik 2020.



