Ekonomisti i njohur amerikan Steve Hanke ka reaguar për hetimin e SPAK mbi tjetërsimin e pronave në Zvërnec, duke tërhequr vëmendjen me një postim në rrjetet sociale ku komenton çështjen që përfshin biznesmenin Artur Shehu.
Hanke iu referua hetimit të Prokurorisë së Posaçme ndaj Shehut për pronat në Zvërnec, zonë ku është bërë publik edhe projekti për ndërtimin e një resorti luksoz nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner.
Në postimin e tij, ekonomisti shkruan:
Prokurorët shqiptarë akuzojnë biznesmenin Artur Shehu për përdorimin e akteve të falsifikuara të pronësisë për të shitur tokë për projektin e resortit luksoz prej 1.6 miliardë dollarësh të dhëndrit të Trump, Jared Kushner.
Në Shqipëri, korrupsioni vjen me territorin.
Ndërkohë, SPAK ka shpallur 20 masa sigurie në kuadër të një operacioni kundër një grupi kriminal të dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim parash.
Mes personave për të cilët është caktuar masë sigurie është edhe Artur Shehu, i njohur si një nga poseduesit kryesorë të tokave në zonën e Zvërnecit.
Sipas dosjes hetimore, sipërfaqe të konsiderueshme toke në Zvërnec dyshohet se janë tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara, duke kaluar nga trashëgimtarët te biznesmeni Artur Shehu.
Hetimi evidenton se një pronë, e cila sipas dokumentacionit arkivor dhe hipotekor kishte një sipërfaqe prej 5.800 metrash katrorë, është regjistruar në dokumente me një sipërfaqe prej 32.000 metrash katrorë, duke iu shtuar 26.200 metra katrorë.
Ekspertiza tekniko-topografike ka konstatuar se sipërfaqja reale e pronës është 5.800 metra katrorë.
Sipas SPAK, prona fillimisht ishte regjistruar në emër të trashëgimtarëve dhe më pas u transferua te Artur Shehu me kontratë shitjeje, për vlerën 480 milionë lekë.



