Ceremonia e festës së Kurban Bajramit është organizuar këtë të premte, nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Besimtarët janë falur në orët e para të mëngjesit në sheshin e ri, por ajo që ra në sy ka qenë vendosja e një ekrani që transmetonte ceremoninë, para monumentit të Heroit Kombëtar Skëndërbeu.
Ky ekrani vendosur në një skelë disa metra të lartë,uronte besimtarët për Kurban Bajramin.
Kjo u cilësua si mbulim i Heroit Kombëtar, duke sjellë reagime të shumta në rrjetet sociale.
Por, Sekretaria e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, e kontaktuar nga "TemaTv" sqaroi se vendosja e ekranit nuk është bërë me tendencën për ta mbuluar monumentin e Heroit Kombëtar, duke e cilësuar madje "injorancë" pjesën e aludimit për mbulim, pasi thekson se as nuk është mbuluar.
Sipas saj, ka qenë zgjedhje e organizatorëve vetëm për faljen e Kurban Bajramit, por aspak e qëllimtë dhe e lidhur me mbulimin e monumentit të Skënderbeut.



