Besimtarët myslimanë në mbarë vendin festojnë sot Kurban Bajramin, njërën nga dy festat më të rëndësishme të kalendarit islam.
Mijëra besimtarë u mblodhën në orët e para të mëngjesit të së premtes në sheshet dhe xhamitë kryesore për të falur Namazin e Bajramit.
Korrespondentët e MCNtv, Ervina Garo nga Durrësi, Entela Duka nga Elbasani dhe Bendis Druni nga Shkodra, sollën përmes “MCN Live” atmosferën festive dhe shpirtërore nga këto qytete, ku besimtarët u lutën për paqe, mirësi dhe më shumë solidaritet mes njerëzve.
Në të tre qytetet, falja u zhvillua në qetësi dhe me pjesëmarrje të gjerë, ku përveç lutjeve tradicionale, nuk munguan as urimet e ndërsjella dhe mesazhet e shpresës për një të ardhme më të mirë.
Ervian Garo:
Edhe në Durrës është falur Namazi në xhaminë e madhe të qytetit dhe në të gjitha objektet e tjera të kultit islam të qytetit bregdetar në orën 06.15 të mëngjesit të sotëm.
Një numër i lartë besimtarësh tejmbushën sheshin jashtë Xhamisë, edhe këtë herë.
Falja e Namazit në këto përmasa është kthyer në një ritual, duke bërë bashkë, jo vetëm besimtarët myslimanë, por edhe ata të besimeve të tjera.
Më pas, besimtarët kanë uruar njëri-tjetrin për të vazhduar me traditën e festimeve pranë familjeve të tyre.
Entela Duka:
Qindra besimtarë Mysliman në Elbasan falën mëngjesin e sotëm Kurban Bajramin. E cilësuar si një ndër festat më të rëndësishme të kalendarit islam, edhe këtë herë falja e Kurban Bajramit është kryer në sheshin “Gensher”.
Myftiu i Elbasanit, Agim Duka përcolli ceremoninë e faljes duke uruar besimtarët por edhe duke bërë thirrje për më shumë mirësi dhe ndihmesë ndaj njëri tjetrit.
Teksa përcolli mesazhet e solidaritetit u shpreh me keqardhje për situatën e rënduar në rripin e Gazës.
“Sot, Elbasani është i gjallë me dritën e besimit. Familjet tona janë zgjuar me dëshirën për ta nderuar këtë ditë, për të vizituar të afërmit, për të ndihmuar të varfrit dhe për të falënderuar Zotin për paqen dhe sigurinë. Është një ditë që i fton njerëzit të falin, të përqafojnë dhe të afrohen, që të mos harrojnë as veten, as të tjerët, dhe mbi të gjitha – të mos harrojnë Zotin e tyre".
Bendis Druni
Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Shkodër, besimtarët myslimanë kanë festuar festën e Kurban Bajramit.
Falja e namazit të Kurban Bajramit u organizua në sheshin pranë xhaminë Ebu Bekër në qytetin e Shkodrës.
Në fjalën e tij para faljes së namazit të Kurban Bajramit, zv myftiu i Shkodrës, Arben Halluni, u ndal për të folur për fenomenin e largimit të shqiptarëve. Ai tha se po lënë prindërit të gjallë dhe i gjejnë të vdekur. ‘Thirrja jonë e vazhdueshme është që mos të braktisin vendin dhe të mos largohen pa u përpjekur këtu’.



