
Kjo javë është vendimtare për planin e Ruandës i cili vazhdon të ngrejë polemika të shumta në Mbretërinë e Bashkuar. Masa, me të cilën qeveria synon të godasë emigracionin e parregullt, duhet të miratohet në ditët në vijim, por ka krijuar një përçarje brenda partisë së shumicës. Pika e mosmarrëveshjes është kostoja e transferimit të emigrantëve në vendin afrikan: 169.000 paund për person (196.000 euro), sipas të dhënave të publikuara më 26 qershor nga Ministria e Brendshme. Do të duheshin 63.000 paund më shumë për të zhvendosur një azilkërkues sesa për ta mbajtur atë në Britaninë e Madhe. Plani i Ruandës kushton shumë prandaj, masa do të kishte më shumë çështje kritike sesa përfitime, thotë Caroline Nokes, deputete konservatore dhe kryetare e Komisionit të Mundësive të Barabarta të Dhomës së Komunave. Kështu lindi përplasja në Parlament me Ministren e Brendshme Suella Braverman, “avokate” e një qëndrimi më të ashpër ndaj emigrantëve. “Jo vetëm që është shumë e vështirë të justifikosh dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, kur në realitet duhet të kishim ngritur një sistem më të mirë azili, por edhe çështja ekonomike është krejtësisht legjitime dhe e rëndësishme”, tha Nokes. Nga ana tjetër, ministrja e Brendshme mbrojti masën, duke u kërkuar deputetëve që ta miratojnë si zgjidhjen e vetme për ndalimin e trafikantëve dhe bllokimin e zbarkimeve në brigjet britanike. Vetëm në këtë mënyrë, argumenton Braverman, do të ishte e mundur të kthehej “sistemi ynë i azilit në ekuilibër”. “Skema e Ruandës”, e shpallur në pranverën e vitit 2022 dhe e përfshirë në projektligjin e migracionit të paligjshëm, synon të transferojë kuotat e azilkërkuesve në vendin afrikan. Qëllimi i masës është të dekurajojë largimet, pas shifrave rekord të vitit 2022. Sipas të dhënave të publikuara në mars nga qeveria britanike, që nga viti 2018 ka pasur 85 mijë emigrantë që kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla. Prej tyre, 45.000 mbërritën vetëm vitin e kaluar. Plani deri më tani ka mbetur në letër, për shkak të ankesave ligjore të ngritura. Aq sa fluturimi i parë i zhvendosjes, i planifikuar për në qershor 2022, u bllokua nga një masë e përkohshme e minutës së fundit të miratuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Drita jeshile për masën nuk është aspak e qartë, pasi shumë anëtarë të Dhomës së Lordëve tashmë janë shprehur kundër saj. Në rast mosmiratimi, një nga pikat kryesore në axhendën e qeverisë konservatore të drejtuar nga Rishi Sunak do të binte.



