
Besimtarë katolik në Lezhë dhe Shkodër kanë kremtuar të premten e zezë, apo siç njihet ndryshe “Udha e Kryqit”. Ritualit fetar ju bashkuan dhjetëra qytetar të cilët të udhëhequr nga përfaqësues të klerit katolik marshuan në rrugët e qytetit, duke kujtuar në këtë mënyre mundimet e Jezu Krishtit.
“E premtja e madhe është dita më e rëndësishme e javës së Pashkëve dhe mesazhi qe na jep Jezu Krishti është që të jetojnë në paqe dhe ta duam njëri-tjetrin”, u shpreh Ipeshkvi i Dioqezës se Lezhës, Imzot Otavio Vitale.
Arqipeshkvi i Shkodrës, imzot Giovanni Peragine, tha se Udha e Kryqit na bën të mendojmë se edhe sot përjetojmë padrejtësi në vendin tonë. Ai u ndal edhe tek luftërat në vende të ndryshme, teksa shtoi se kemi nevojë për paqen dhe nuk duhet të jemi indiferent ndaj vuajtjeve të tjerëve.
“Udha e Kryqit” vjen me 14 ndalesa dhe në secilën prej tyre besimtaret bëjnë lutje dhe përkujtojnë mundimet e Jezusit. E premtja para Pashkës, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë.



