
El Nino, fenomeni i ngrohjes atmosferike të Paqësorit tropikal qendror dhe lindor, i cili mund të sjellë nxehtësi rekord në pjesë të ndryshme të botës, është rikthyer pas shtatë vitesh. Këtë e bën të ditur Organizata Ndërkombëtare Meteorologjike (WMO). “Ardhja e El Nino do të rrisë shumë gjasat për të thyer rekorde të temperaturës dhe do të shkaktojë më shumë nxehtësi ekstreme në shumë pjesë të botës dhe oqeane”, tha Sekretari i Përgjithshëm i WMO Petteri Taalas. Ai shtoi se paralajmërimet e hershme dhe veprimet parandaluese ndaj ngjarjeve ekstreme të motit që lidhen me këtë fenomen të madh klimatik janë jetike për të shpëtuar jetë dhe mjete të jetesës. El Nino ndodh mesatarisht nga 2 deri në 7 vjet dhe zgjat nga 9 deri në 12 muaj. I fundit kishte ndodhur në vitin 2016, dhe kontribuoi së bashku me efektin serë me origjinë njerëzore, për ta bërë vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë. El Nino rrit reshjet në pjesë të Amerikës së Jugut, jugut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bririt të Afrikës dhe Azisë Qendrore. El Nino shkakton thatësira të rënda në Australi, Indonezi, pjesë të Azisë Jugore, Amerikës Qendrore dhe Amerikës së Jugut veriore. Fenomeni i kundërt i Nino, pra ftohja e Paqësorit tropikal qendror dhe lindor, quhet La Nina dhe përfundoi në fillim të vitit 2023.



