Spahiu: BE do shkojë drejt heqjes së masave ndaj Kosovës. Ky ishte suksesi i vetëm i Kurtit në dy vite

Spahiu: BE do shkojë drejt heqjes së masave ndaj Kosovës. Ky ishte suksesi i vetëm i Kurtit në dy vite

Profesori i shkencave politike Nexhmedin Spahiu komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV situatën në Kosovë, pas tërheqjes së 25 për qind të policisë së Kosovës nga Veriu i vendit. Spahiu tha se do të shkohet drejt heqjes së masave nga BE ndaj Kosovës, lëvizje që sipas do të bëhet derisa të mbahen zgjedhjet në Veri. Spahiu theksoi se ky është suksesi më i madh, në mos i vetëm i qeverisë Kurti në dy vite, pasi arrestimit të strukturave paralele dhe vendosjes së flamurit të Kosovës në objektet komunale. Megjithatë ai shton se suksesi i Kurtit do të varet nëse flamuri i Kosovës do të qëndrojë edhe pas zgjedhjeve për kryetarët e rinj. “Besoj që po, por s’duhet të presim që të hiqen menjëherë masat, por duhet të kalojë një kohë, derisa të bëhen zgjedhjet në Veri, por drejt atyre është duke shkuar. Gjendja është stabilizuar si rezultat i arrestimit të strukturave të dhunshme paralele në Veri të Kosovës. Numri i madh i këtyre strukturave ka ikur në Serbi, dhe tashmë situate në Veri është nën kontroll të policisë dhe institucioneve të Kosovës. Ky është suksesi më i madh, në mos i vetëm, i qeverisë Kurti në këto dy vite qeverisje. Nëse 20 për qind e trupës zgjedhore në një komunë kërkon të shkarkohet kryetari, atëherë Presidentja e Kosovës është e obliguar të shpallë zgjedhje të reja në komunë. Ky është mekanizmi i vetëm për shpalljen e zgjedhjeve, ose dorëheqja e kryetarëve të komunave, por kjo s’është një gjë që mund të detyrohet një kryetar të japë dorëheqjen. Nëse nuk mblidhen nënshkrimet nga qytetarët, 20 për qind e trupës zgjedhore, s’ka asnjë garanci që serbët do marrin pjesë në zgjedhje. Ky mekanizëm tregon vullnetin e palës kosovare, dhe presioni bie mbi Beogradin. Zgjedhjet me gjasë do organizohen në vjeshtë nëse mblidhen këto nënshkrime. Kurti fitoi definitivisht. Përderisa flamuri i Kosovës qëndron në objektet komunale në Veri dhe përderisa bandat janë të larguara nga komuna, një pjesë të arrestuar, kjo është një fitore absolute. Rezultati i një loje politike shihet në fund. Kjo ndeshje do jetë e përfunduar, kur do të kemi kryetarët e rinj të komunave, dhe nëse flamuri i Kosovës do qëndrojë aty, do kemi fitore absolute të Kurtit. Nëse flamuri i Kosovës do të përdhoset, e gjithë kjo do t’i faturohet si dështim, si investim i kotë i qeverisë Kurti”, tha Spahiu. I pyetur mbi pritshmëritë e Samitit që pritet të mbahet në Tiranë, Spahiu tha: “Besoj që deri atëherë Kosova do të ketë kryer disa nga këto që kërkohen nga BE, dhe do jetë në një pozitë më të favorshme, që të mos jetë e kritikuar nga Perëndimi, BE dhe SHBA. Ballkani i Hapur pa Shqipërinë s’ka kuptim, shndërrohet në marrëdhënie bilaterale mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Procesi i Berlinit është gjë e duhur dhe është për t’u përgëzuar kryeministri Rama që hoqi dorë nga një organizim që e dëmtonte dhe izolonte Kosovën”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy