Një ngjarje e rëndë është shënuar në Abruzzo të Italisë, ku një 12-vjeçar shqiptar u zu poshtë nga porta e hekurt e oborrit të banesës ku jetonte.
Ngjarja e rëndë ndodhi në shtëpinë ku jetonte i mituri në Sant’Egidio alla Vibrata, në provincën e Teramos.
Djali po luante ndërsa babai i tij po bënte disa punë rinovimi në pjesën e jashtme të shtëpisë kur dhe ndodhi ngjarja.
Për arsye që janë ende nën hetim, porta përballë shtëpisë, rreth shtatë metra e lartë, e gjitha metalike dhe shumë e rëndë, u shkëput nga menteshat dhe ra mbi djalin duke e shtypur.
I pari që i erdhi në ndihmë ishte babai, i alarmuar nga zhurma e hekurit kundër betonit.
Por i vetëm ai nuk mundi të lëvizte portën dhe në ndihmë i erdhën fqinjët, duke arritur të lirojnë të miturin nga pesha e madhe.
I mituri u dërgua me urgjencë në spital, ku gjendja e tij paraqitet e rëndë.



