Donald Trump përsëriti kërcënimin e tij për të vendosur tarifa doganore 100% në bllokun BRICS, pasi ripohoi se synonte të vendoste tarifa doganore prej 25% për produktet kanadeze dhe meksikane duke filluar nga e shtuna.
“Ideja që BRICS po përpiqet të largohet nga dollari, ndërkohë që ne rrimë duarkryq dhe nuk bëjmë asgjë, ka përfunduar ”, postoi ai në një mesazh në platformën e tij “Truth Social”.
"Ne do të kërkojmë që këto vende dukshëm armiqësore të angazhohen që të mos krijojnë një monedhë të re BRICS, ose të mbështesin një monedhë tjetër për të zëvendësuar dollarin e fuqishëm amerikan, ose do t'i nënshtrohen tarifave 100% ", shtoi Presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Grupi BRICS përbëhet nga 10 vende, duke përfshirë Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut. Në fushën financiare, ky grup ka menduar të heqë dorë nga dollari, i cili shërben si monedhë referimi për tregtinë globale. Këto vende kanë konsideruar veçanërisht krijimin e monedhës së tyre të përbashkët. Edhe pse, gjatë samitit të BRICS në Rusi në fund të tetorit, Vladimir Putin gjykoi se kjo ide "nuk ishte ende e pjekur" .



