“Arrest me burg” është masa e sigurisë e caktuar për shoferin Nikoll Radaçi, i cili akuzohet për shkaktimin e aksidentit fatal në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Sipas raportimeve në MCN Live nga gazetarja Ervina Garo, familjarët dhe mediat nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancë, ndërsa i arrestuari është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie.
Po ashtu, bëhet me dije se avokati mbrojtës është tërhequr nga çështja, duke e lënë të pandehurin pa përfaqësim ligjor në këtë fazë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 4 maj në lagjen nr.15 të Durrësit, kur tre fëmijë po luanin në trotuar. Sipas hetimeve paraprake, 57-vjeçari dyshohet se drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe humbi kontrollin, duke përplasur të miturit.
Si pasojë, dy prej tyre, E. M., 12 vjeç dhe K. N., 10 vjeç, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa fëmija tjetër 8 vjeç mbijetoi, por me plagë të rënda.
Banorë të zonës kanë deklaruar se drejtuesi i mjetit ishte raportuar më herët në polici për sjellje të rrezikshme në rrugë dhe ishte gjobitur nga Policia Rrugore për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe përplasje politike, ndërsa në Kuvend është kërkuar ashpërsim i Kodit Rrugor dhe masave për sigurinë rrugore.



