
Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, doli sot para mediave për të sqaruar audiopërgjimin e publikuar dy ditë më parë, mes tij dhe një gjyqtari të Gjykatës së Strasburgut. Pas publikimit të bisedës audio të regjistruar në vitin 2014, opozita e akuzoi qeverinë se nëpërmjet Bibës ka shantazhuar gjyqtarin Ledi Bianku në Strasburg për bllokimin e çështjeve të pronave.
Në sqarimin e tij në lidhje me bisedën e 4 viteve më parë, Biba tha se ajo është keqinterpretuar qëllimisht dhe po përdoret si shantazh në prag të fushatës zgjedhore.
“Kjo histori po shndërrohet në shantazh dhe presion të papërshtatshëm në lidhje me punën time në KQZ në prag të fushatës zgjedhore. Do t’i drejtohem me letër GJEDNJ, ku do t’i shpreh shqetësimin tim në lidhje me përgjimin pa mandat të bisedës së mes një gjyqtari dhe një zyrtari të një shteti anëtar të Këshillit të Europës”, tha ai.
Biba tha se audio e plotë e bisedës hedh poshtë pretendimet e gjyqtarit Bianku.
“Gjyqtari Ledi Bianku bisedën me mua e ka konsideruar një qasje të papërshtatshme. Gjykata pranon referimin për qasje të papërshtatshme, aq më pak ndikim apo shantazh. Ishte një bisedë mes miqsh që gjyqtari Bianku e ka referuar si qasje të papërshtatshme. Më vjen keq që ai nuk ma drejtoi mua këtë ankesë. Në audion e plotë rezulton se Bianku nuk e ndërpret asnjëherë bisedën.
Fakti që Gjykata e Strasburgut nuk reagoi as atëherë, as tani, tregon se sa e parëndëishme ishte kjo bisedë mes gjyqtarit dhe një përfaqësuesi të shtetit shqiptar. Jo vetëm biseda, por edhe njerëz të caktuar u përdorën për teatër politik”, tha ai.



