Presidenti amerikan, Donald Trump firmosi të premten projektligjin e miratuar në senat pak ditë më parë, i cili parashikon një ndihmë ekonomike prej 2.2 trilionë dollarësh për ekonominë amerikane si një masë lehtësuese ndaj krizës së shkaktuar nga koronavirusi.
Trump e nënshkroi projektligjin në një ceremoni në zyrën ovale, në praninë e disa senatorëve republikan dhe anëtarë të administratës së tij, menjëherë pasi demokratët miratuan paketën ekonomike.
Paketa parashikon të ndihmoje personat që janë beqarë me një shumë prej 1200 dollarë, ndërsa çiftet e martuara do të marrin 2,400 dollarë dhe 500 dollarë për secilin fëmijë.
Trump e firmosi këtë projektligj menjëherë pasi qeveria amerikane raportoi të enjten se pothuajse 3.3 milionë kërkesa të reja vijnë në javë nga të papunët.
Brenda 100 ditësh, 100 mijë aparatura për frymarrje
Presidenti amerikan, Donald Trump të premten firmosi një urdhër ekzekutiv ku udhëzon Sekretarin e Shëndetësisë të analizojë në ç’formë mund të zbatohet Ligji i Prodhimit për Mbrojtjen kundër kompanisë General Motors, e cila ka shprehur gatishmërinë për të prodhuar aparatura për frymëmarrje, por siç tha presidenti, prodhimi ka ngecur.
Trump, u shpreh optimist se brenda 100 ditëve do të jenë prodhuar 100 mijë aparatura frymëmarrjeje.
“Përparësia është jeta, siguria e qytetarëve dhe më pas vjen ekonomia,” tha Presidenti Trump para gazetarëve të premten, në konferencën e përditshme për shtyp të grupit të punës kundër koronavirusit.
Por shumë guvernatorë, ndër to edhe guvernatorë në shtete konservatore si Luiziana dhe Ohajo, thonë se nuk kanë pajisje të mjaftueshme për krizën që mund të shfaqet brenda më pak se një jave.
Numri i viktimave në SHBA i ka kaluar 1,200 si pasojë e virusit Covid-19./Reuters dhe BBC/



