Shumë shpejt do të nis puna për ndërtimin e muzeut Besa. Një hapësirë sa historike edhe shpirtërore. Historiani Mariglen Kasmi në studion e lajmeve në MCN TV u shpreh se Shqipëria është nja nga vendet e vetme që strehoi hebrenjtë duke e cilësuar këtë një vlerë të shtuar jo vetëm për Tiranën. Ai tha se koncepti i muzeumit ka ndryshuar duke u bërë më komplekse duke përfshirë filmime dhe dokumentarë. Sipas tij, muzeu trashëgon qëllim historik dhe edukativ dhe se ata i shërbejnë të ardhmes përmes së kaluarës. Intervista e plotë 1.Ta nisim me emrin e muzeut: Besa. I qëndron historisë një mbiemërtim i tillë në raport me atë që ndodhi në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri? Sigurisht që mund të diskutosh për të gjithë aspektet historike të kësaj ngjarje por emri është i gjetur sepse përveç aspektit turistik sepse këtë synon më shumë, ashtu e rëndësishme është që ai të paraqesë vlerat historike, njerëzore çka e karakterizon shqiptarin. Besa është emërtimi i gjetur dhe kjo histori e nderon Shqipërinë dhe shqiptarët. Jemi ndër vendet e pakta që në fund të luftës strehuam hebrenjtë, që duhet thënë që më shumë hebrenj erdhën sesa u larguan kështu që është një veprim dhe emërtim në të gjitha kontekstet, është i gjetur. 2. Kemi dëshmi, të dhëna dhe artefakte nëse mund të themi për të plotësuar eksponatin e një muzeu të tillë? Patjetër, ky është një muzeum në konceptin modern, sot ka një metodologji më e thjeshtuar dhe njëherazi më kompleksë në trajtimin e saj. Ne kemi parasysh ndërtimin e saj aty lidhur dhe nga dëshmitë, por përveç objekteve janë dhe filmimet, dokumentarët, sepse muzeumet kanë si fillim synim edukativ, duke parë nga e shkuara të përmirësojmë të ardhmen. 3. Mendoni se ka diçka vanitoze në këtë projekt nga ana e qeverisë shqiptare meqenëse në përgjithësi hebrenjtë në Europë në kujtesën e afërt lidhen me genocidin, holokaustin, ndërkohë që Shqipëria pretendon të japë një shembull krejt ndryshe? Muzeumet nuk ndërtohen vetëm për të treguar të keqen, por dhe për të treguar të mirën njerëzore. Për aq kohë sa është një vlerë sigurisht që duhet pasqyruar. Nuk mund të themi dot të bëjmë këtë më parë, për gjithçka dhe sidomos për gjëra madhore siç është ky veprim shpëtimi i hebrenjve duhet ta tregojmë si vlerë të shqiptarëve që dhe një vend i vogël mund të japë një shembull pozitiv. E shoh si një hap të duhur, mund të kishte ndodhur dhe më parë, është një vlerë e shtuar jo vetëm për Tiranën. 4. Është premtuar më parë një muze i Ateizimit, apo një muze për qëndresën kundër komunizmit, që për shoqërinë tonë kanë rëndësi shumë më të madhe. Pse mendoni ju ky propagandim I një muzeu që lidhet me një episod të Luftës së Dytë Botërore? Sigurisht mendoj unë të paktën që ka dhe një aspekt turistik këtu. Nuk mund të vihen në balancë këta dy muzeume se cili duhet bërë më parë, kanë rëndësinë e vetë secili. Kështu është një përpjekje disa dimensionale. Për muzeun e komunizmit sigurisht që duhet, ne vuajmë për këtë gjë, por në këtë kontekstin tonë pak të ngatërruar gjithmonë bien në sy nismat e tilla, por duhet të punojmë fort për të bërë një muzeum tjetër, por nuk ka pse të pengojnë njëra-tjetrën. 5. Po punon për ndonjë libër të ri dhe për çfarë bëhet fjalë? Në fakt jam duke punuar dy projekte paralelisht, do jenë libra monografi të dy. I pari bëhet fjalë për një biografi politike të Sadik Premtes, një nga eksponentët e partisë komuniste. Duke pasur parasysh luftën e brendshme përplasjet me partinë dhe fundin e tij kur ai u largua nga Shqipëria dhe jetoi në Francë. Është një figurë historike që me shumë gjasa po ta krahasosh me kolegë të tij do ishte ekzekutuar nga Enver Hoxha. Projekti i dytë është në kuadër të 110 vjetorit të princ Vidit dhe jam duke punuar botimin e disa dokumenteve.



