Me një mbledhje fondesh rekord në Facebook, komediania australiane Celeste Barber ka arritur shumën 30 milionë euro për të luftuar zjarret që po shkatërrojnë Australinë. Shifra, e cila vazhdon të rritet, është më e larta që është arritur ndonjëherë në Facebook, siç konfirmohet nga vetë rrjeti social.
Grumbullimi i fondeve nga Barber filloi në datën 2 janar. Që atëherë, 1.2 milionë njerëz kanë bërë donacione për kauzën. Postimi është shpërndarë 1.1 milionë herë, ndërsa njerëzit e ftuar për të dhuruar janë rreth 4.3 milionë.
"Ju lutemi ndihmoni sa më shumë të jetë e mundur. Kjo është e tmerrshme", është mesazhi i postuar nga Barber së bashku me një foto të zjarreve që, deri më tani, kanë vrarë 26 njerëz, qindra milionë kafshë dhe kanë shkatërruar mbi 2 mijë shtëpi, kurse reja e tymit ka mbuluar një sipërfaqe prej rreth 80 mijë kilometra katrorë.



