
Më shumë se 60 vjet pasi u shfaq për herë të parë, një dokumentar çek mbi Tibetin, i prodhuar në fillim të viteve ’50, u rikthye në kinema më 19 shkurt. “Rruga drejt Tibetit” ka fituar disa çmime para se të ndalohej nga autoritetet komuniste. Ai sjell një dëshmi unike nga vendet që shumë kohë më parë u shkatërruan nga Revolucioni Kulturor Kinez.
Filmi u shfaq dje për herë të parë pas shumë vitesh në kinemanë “Lucerna”, në Pragë. Dokumentari është realizuar nga regjisori Vladimír Sís dhe kameramani Josef Vaniš në vitin 1953.
Ata u ngarkuan nga studiot e filmit të Ushtrisë Çekosllovake për të bashkëpunuar me kolegët e tyre kinezë për dokumentimin e ndërtimit të autostradës Sichuan-Tibet, midis Kinës dhe Lhasa-s. për xhirimin e tij janë dashur 9 muaj, kohë gjatë të cilës dy autorët janë përballur me aventura dhe rreziqe.
Në atë kohë, Tibeti ishte nën okupimin e Kinës, e cila e pushtoi vendin në vitin 1950. Megjithatë, vendi kishte ende një autonomi të pjesshme dhe shumica e manastireve të saj, të cilat do të shkatërroheshin më vonë nga Revolucioni Kulturor Kinez, ekzistonin ende.
Dy kineastët çekë arritën të dokumentonin një botë më pas do të zhdukej, thotë distributori i filmit, Viktor Kuna.
"Përveç ndërtimit të autostradës, ata kapën në film shumë monumente kulturore dhe fetare, si dhe fotografi të jetës së përditshme të popullit tibetian, duke përfshirë kostumet e tyre tradicionale, thurjen e tekstileve dhe qilimat, ritualet dhe vallet tradicionale. Por ajo që e bën filmin me të vërtetë unik është se ai paraqet shumë vende që janë shkatërruar gjatë revolucionit kulturor kinez", thotë Kuna.
Ndër momentet e shumta unike që janë përjetësuar nga regjisorët çekë ishte takimi i tyre me 19-vjeçarin Dalai Lama, në qytetin e ndaluar të Lhasa-s. Në atë kohë, Dalai Lama ende nuk ishte nisur për në mërgim.
“Rruga drejt Tibetit” u shfaq për herë të parë në vitin 1955 dhe fitoi çmime në festivalet e filmit në Venecia dhe Karlovy Vary. Ajo u shfaq në kinematë çekosllovake në vitin 1956, por disa vjet më vonë u ndalua nga autoritetet komuniste.
Dokumentari ka qenë në Arkivin Kombëtar të Filmit për dekada të tëra, përpara se të rizbulohej nga Viktor Kuna vitin e kaluar. Versioni i ri digjital, i cili u shfaq në kinema të martën në kinemanë e Pragës, është në fakt një nga tri versionet zyrtare të filmit.
"Publiku do të shohë kopjen e vetme të mbijetuar, e cila është bërë për kinematë çekosllovake. Ne nuk mund ta gjejmë versionin kinez, Arkivi Kombëtar i Filmit thotë se ai është shkatërruar, po ashtu edhe versioni i paraqitur në festivale", thotë Kuna.
Udhëtimi i regjisorit Vladimír Sís në Tibet dhe Kinë në fillim të viteve 1950 do të përshkruhej më vonë nga djali i tij, shkrimtari dhe illustruesi Peter Sisi, në librin me titull “Tibeti përmes kutisë së kuqe”.



