
Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Gjashës në Sarandë.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është Rexhep Ismaili, pronar i një karburanti në zonë. Mësohet se ai është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë një plumb në kokë, duke humbur jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e atentatit kanë mbërritur forca të shumta policie, ndërsa zona është rrethuar për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së rëndë. Deri më tani nuk dihen ende motivet e atentatit.
Sarandë/Informacion paraprak
Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit R. I., gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.
Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.
Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.
Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.



