Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për shitjet online të bombolave të oksigjenit që shërbejnë në kurimin e të infektuarve me virusin COVID-19. Shkak për nisjen e hetimeve, janë bërë mospranimi i të infektuarve për t’u kuruar në spitalet e posaçme për të prekurit nga COVID.
Marrja e mjekimit në kushte shtëpie, ka nxitur kështu organin e akuzës të verifikojë të gjitha faqet online që shesin aparaturat e oksigjenit. Pjesa më e madhe e tyre, dyshohet se i shesin në mënyrë të jashtëligjshme, pasi bombolat e oksigjenit janë jashtë çdo lloj standardi për kurimin e të sëmurëve. Ndërkohë, çmimi i një aparati oksigjeni në faqe të ndryshme online varion 500-800 euro.
Por, burimet kanë bërë të ditur që ka edhe nga ato raste kur bombolat me oksigjen jepen me qira ditore. Vlera e qirasë ditore, sipas tyre arrin nga 100 deri në 120 euro.
Ndërkohë, shkak për nisjen e këtyre hetimeve dyshohet të jetë rasti i pak ditë më parë, kur një bombol oksigjeni i shpërtheu në banesë një 72-vjeçari që e përdorte për kurim pasi ishte prekur me COVID. Gjatë kqyrjes në banesë, grupi hetimor mësohet se ka gjetur edhe dy bombola të tjera oksigjeni, të cilat dyshohet se janë blerë nga familjarët e tij në mënyrë private.



