
Në Skoci ka polemika të shumta mbi ligjin e propozuar për ndalimin e “terapive të konvertimit” për “ndryshimin ose shtypjen e orientimit seksual ose identitetit gjinor” të të miturve, imponimi i të cilit do të bëhet krim.
E kërkuar nga partia qeverisëse nacionaliste skoceze SNP, drafti është vënë për konsultim online deri më 2 prill. Por janë të shumtë ata që kanë frikë se përkufizimi i terapisë së konvertimit është shumë i paqartë.
Prindërit që mohojnë ndryshimin e seksit tek fëmijët e tyre të mitur mund të rrezikojnë deri në shtatë vjet burg.
Praktikat e konvertimit “nuk kanë vend” në Skoci, tha sot ministrja e Barazive Emma Roddick, duke shpjeguar se dëshironte të udhëhiqte rrugën në Mbretërinë e Bashkuar.
Roddick theksoi se ndalimi do të zbatohet vetëm për terapinë shtrënguese që shkakton dëm për viktimat. Por shumë kritikë, shkruan BBC, besojnë se përkufizimi është shumë i paqartë dhe përfundon duke kriminalizuar prindërit ose duke sulmuar lirinë e fjalës.
Aleanca LGBT thotë se është e shqetësuar pasi ligji i ri mund të ndalojë çdo përgjigje ndaj të miturve që vënë në dyshim gjininë e tyre, përveç “afirmimit të vetë-diagnozës së tyre”.
Rhona Hotchkiss, ish-drejtoreshë e një burgu të grave, paralajmëron rrezikun që të miturve t’u bëhet presion për të ndryshuar seksin kur ata janë në të vërtetë homoseksualë.
Për Kishën Katolike Skoceze “ka mungesë qartësie se çfarë do të thotë terapia e konvertimit” dhe ligji i ri mund të kriminalizojë këshillat ose opinionet e dhëna me mirëbesim.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë skoceze të mos kriminalizojë udhëzimet baritore, udhëzimet prindërore ose ndërhyrjet mjekësore dhe profesionale në lidhje me orientimin seksual që nuk miratohen nga shteti,” thotë Peter Kearney, zëdhënës i Kishës Katolike.



