
Ish-nënkryetari i Forumit Rinor të PD-së, Lisandër Hoxha ka denoncuar përpjekjen për blerje të votave, për zgjedhjet e pjesshme vendore. Në një lidhje skype në studion e lajmeve në MCN TV ai u shpreh se ajo që ka bërë nuk është denoncim pasi nuk ka prova me fakte për këtë, por siç ai e quajti një reagim mbi fenomenin që po qarkullon.
Ai tha se në këto 8 vite nuk ka pasur votë të lirë, pasi qytetarët, mësuesit, ndihmësit dhe shumë kategori të tjera janë kërcënuar me bukën e gojës për votën. Teksa komentoi zgjedhjet e pjesshme vendore për të cilat tha se “Shtëpia e Lirisë” ka të gjitha mundësitë për të fituar të 6 bashkitë, u bëri një thirrje qytetarëve që në 6 mars ti japin një mesazh ndëshkimi rilindjes duke i votuar kundër.
Intervista e plotë
1.Z. Hoxha, nga I keni marrë ju të dhënat, se po tentohet të blihen votat?
Kam bërë një reagim mbi bazën e asaj që qarkullon dhe ka qenë nxitje për njerëzit sepse siç e dimë në 8 vitet e fundit janë thirrur dhe kërcënuar me bukën e gojës qytetarë, mësues, dhe kategoritë e tjera me ndihmën ekonomike. Bëj një thirrje për këta qytetarë që në 6 mars ashtu siç janë tallur ata në 8 vite me këta t’ja kthejnë me të njëjtën monedhë. Sepse ata këtë dinë të bëjnë të shantazhojnë qytetarët. Talluni me këta dhe në fund votoni kundër. Sepse u shkojnë natën dhe tallen duke i kërcënuar, prandaj jam marrë me këtë fenomen. Ndjehemi të kërcënuar për shkak të bindjeve tona politike dhe ju ftoj dhe ju si media të investigoni se në çfarë niveli janë zgjedhjet në Shqipëri, ne kërkojmë lirinë.
2. Z. Hoxha, ju thoni, se SPAK-u do arrestoje foltoren. E keni fjalën për z. Berisha?
Jo jo. Ka një sponsorizim të jashtëzakonshëm të rilindjes me folës publik, me avoketërit e Ramës se ata që mbrojnë Ramën mbrojnë dhe Lulin dhe kjo për të dekurajuar demokratët. Ka një tentativë të përgjithshme për të dekurajuar demokratët dhe ju bëj thirrje votuesve të 6 bashkive që të mos dëgjojnë dhe të mbyllin veshët deri në 6 mars. Ka një mundësi ti japin një mesazh rilindjes që të shporret një orë e më parë. Nëse votojnë kandidatët e ‘shtëpia e lirisë’ besoj se do kemi forcën e mjaftueshme për të çuar vendin në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Këto janë zgjedhje politike në thelb dy kandidatë të rilindjes dhe nga ana tjetër PD. Këta qytetarë tani duhet të tallen me ta siç kanë bërë ata dhe kjo fillon duke votuar kundër.
Z. Hoxha, këto denoncime, a do i referoni edhe në prokurori?
Nuk janë denoncime sepse nuk kam diçka konkrete me emra dhe mbiemra por janë dekurajime që qarkullojnë, thashetheme që i hapin vetëm për të përfituar sa të munden nga dekurajimi por asgjë s’ka për të ndodhur ne do i fitojmë të 6 bashkitë.
Z. Hoxha, flasim pak edhe për kandidatët. Me emrat që janë në garë, ku mendoni ju se mund të fitojë opozita dhe cila bashki?
Në qytetet e mëdha do të ketë më shumë garë se në ato të vogla dhe është e kuptueshme që Durrësi ka garë më të fortë se Rrogozhina, por në të 6 bashkitë gara është njësoj dhe atë garë e kemi me partinë socialiste dhe jo me Lulin që kërkon të përçajë demokratët. Kjo garë do përcaktojë në mënyrë definitive se ku është opozita e vërtetë.
Z. Hoxha, si i keni parë akuzat e PD, se kush voton Komisionin e Rithemelimit, në fakt po voton LSI?
Shumë e thjeshtë përgjigja, nga Bardhi i kam dëgjuar këto akuza. Nëse identifikoni Berishën me LSI kjo është përtej qesharakes. Grupi i ngjizur nga 17 maj nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpërdorimin e logos dhe vulës në favor të rilindjes, por pas 6 marsit s’do ketë asgjë kuptim për ta sepse do jenë një minorancë e vogël. Nga ana tjetër kemi një tentativë të së djathtës për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë për të pasur pluralizëm të vërtetë.



