
Nga Mustafa Nano
Jemi të terrorizuar nga krimi dhe kriminaliteti! Por unë mendoj se nuk është një krim, apo krimi në përgjithësi që duhet të na shqetësojnë. Krime ka çdo ditë, krime do të ketë gjithmonë. Krime ka kudo, në të gjitha vendet e botës. Edhe në ato vende të cilat ne i lakmojmë për nivelin e sigurisë që ofrojnë. Madje, në ato vende ka edhe krime të llahtarshme që nuk kryhen në Shqipëri. Lexoni gazetat e botës, tabloidet britanike për shembull, që raportojnë nga mëngjesi deri mëngjesin tjetër, mbi çdo krim që ndodh në atë qoshe të botës, në atë anë të botës, dhe do të ndiheni menjëherë të ngushëlluar. Këto gazeta do t’ju bëjnë që të krijoni bindjen se shqiptarët nuk janë ashtu si mendohet, ashtu si edhe ne vet mendojmë. Pra, nuk janë një rast i veçantë. Ne nuk jemi një rast i veçantë.
Por shqiptarët mbeten megjithatë një rast i veçantë. Ka rrethana, motivime dhe disponime ndaj krimit që janë rigorozisht shqiptare dhe është kjo që duhet të na shqetësojë. Le të marrim për shembull, ngjarjen e Velipojës, e cila ishte një ngjarje tipikisht shqiptare. Është një ngjarje që nuk ndodh në vende të tjera. Është e pamundur të përfytyrosh se diku, në një vend normal të botës (lëre pastaj në vendet e Europës) disa njerëz nxjerrin armët nga brezi dhe qëllojmë mbi disa njerëz të tjerë për disa shezlonge. Unë e di që ka njerëz këtu në Shqipëri që i kanë të gatshme alibitë e natyrës patriotike, nëpërmjet të cilave duan të thonë se nuk është rasti i veçantë që na bën ne të kryejmë disa krime të veçanta, por ka faktorë të tjerë, sepse ekuacioni është i ndërlikuar, i stërholluar. Është varfëria, korrupsioni, janë institucionet e dobëta, është mosbesimi ndaj këtyre institucioneve, është një klimë e madhe padrejtësie që është përreth nesh, dhe ne e thithim bashkë me oksigjenin. Sipas tyre, këta faktorë krijojnë kontekstin në të cilin lindin kriminelë të tillë.
Unë i njoh këto lloj alibish, e megjithatë nuk mund të mos mendoj se ngjarja e Velipojës nuk ndodh në vende normale, sepse duhet një nivel i caktuar egërsie që nuk e kanë njerëzit e emancipuar, popujt e emancipuar. Duhet pra, një nivel i caktuar egërsie që ta bëjë njeriun të shtjerë mbi disa njerëz, për shkak të një konflikti për disa shtretër dhe ndenjëse plazhi.
Ne shqiptarët kemi provuar që e kemi këtë nivel të caktuar egërsie. Ne kemi dhënë prova. Është një gjë e dokumentuar. Dhe jo vetëm në fushën e kriminalitetit, por edhe në jetën tonë të përditshme. Ne nuk e kemi për gjë të bëjmë hasëm dikë që sapo e kemi ndeshur në rrugë, në trafik, në pub, në bar, në një debat publik të rastësishëm, apo edhe për një vështrim të pafajshëm, pas së cilit bëhet ajo pyetja e famshme që është tipikisht shqiptarë, po ashtu: “Çfarë ke që sheh?” Dhe pas kësaj pyetje, nëse ti nuk jep një shpjegim (dhe rëndom nuk jep një shpjegim sepse nuk ke çfarë shpjegimi të japësh për faktin se sytë e tu kanë ndalur diku), atëherë mund të të pijë e zeza.
Mund të përfytyrohet lehtësisht se çfarë mund të ndodhë në rrethana që janë më të rënduara. Ne të gjithë kemi parë shumë shqiptarë, shumë familjarë të viktimave, të cilët pasi krimi ka ndodhur, vrapojnë te mikrofonat e gazetarëve, sepse duan të flasin, duan ta shfrytëzojnë një rrethanë mortore për t’u bërë protagonistë. Kjo më shkon në mendje mua! Dhe aty mes shumë gjërash që thonë, ata përmendin diçka që përbën thelbin e mënyrës se si mendojnë: “Shteti të ndërhyjë, shteti të veprojë dhe të mos na lërë ne të marrim drejtësinë dhe ligjin në duart tona. Mos të na lërë të bëjmë vetëgjyqësi. Të mos na lërë t’i zgjidhim vet, ashtu si ne dimë, konfliktet tona.” Dhe kjo nuk është një logjikë që dominon vetëm në zonat periferike, ku ende vepron “Kanuni” i Lekë Dukagjinit, ku ende vepron gjakmarrja. Kjo është një logjikë që dominon kudo ku ka shqiptarë. Shumica e shqiptarëve e kanë bërë këtë logjikë të vetën. Unë sot lexova një lajm, në qendër të të cilit është një biznesmen sarandiot, i cili ka një pronë në Ksamil (ai është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Sarandës) dhe ai, për një problem të së njëjtës natyrë me situatën në Velipojë dhe që provokoi atë plojë, u tha gazetarëve dhe autoriteteve të pranishme, se shteti duhet të veprojë, që të mos na lërë ne të derdhim gjakun ashtu si u derdh në Velipojë, të mos në lejojë të bëjmë vëllavrasje, të mos na lërë të shkaktojmë gjakderdhje. Unë nuk e përjashtojë faktin se ai mund të ketë të drejtë në hallin që prezanton. Mund të ketë të drejtë në zemërimin e tij. Por ajo që të mbetet në mendje, është fakti se fjalën “gjak” dhe “vëllavrasje” ai i përmend me një lehtësi të papërballueshme, të padurueshme. Të bën përshtypje fakti se gjakmarrjen, ai e ka në kokë si një skenar rezervë, si një gur të fundit, si një as nën mëngë. Dhe asi nën mëngë është : “Nëse shteti nuk vepron, jam unë që veproj. Nëse shteti nuk arreston, nëse gjykatat nuk dënojnë, jam unë që vras.” Kjo është një qasje shqiptare, absolutisht shqiptare.
Dhe ne, përpara se të shqetësohemi për krimin dhe viktimat e krimit, duhet të shqetësohemi për këto mendësi që janë burimi i shumicës së krimeve në Shqipëri.



