
Trupat ukrainase hynë në Kherson më 11 nëntor, dy ditë pasi Rusia deklaroi tërheqjen e saj. Kherson, një qytet me një popullsi të paraluftës prej gati 300 mijë banorësh, ishte i vetmi qytet rajonal i pushtuar nga Rusia.
Banorët e Khersonit mbajtën protesta në shkallë të gjerë në mars dhe prill, duke kërkuar që trupat ruse të largoheshin nga qyteti, por Rusia i shtypi protestat me forcë.
Më 29 gusht, Ukraina filloi një kundërofensivë jugore me synim rimarrjen e Khersonit. Ndërsa trupat ukrainase iu afruan qytetit dhe shkatërruan linjat ruse të furnizimit, Moska u detyrua të tërhiqej.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, autorizoi më 9 nëntor tërheqjen ruse nga bregu perëndimor i lumit Dnipro, ku ndodhet Kherson.
Trupat ruse u larguan menjëherë, duke hedhur në erë të paktën shtatë ura në rajon dhe duke shkatërruar infrastrukturën kritike.
Pas largimit të rusëve, banorët e Khersonit dolën në rrugë për të festuar çlirimin pas mbi tetë muajve pushtim. Së shpejti, autoritetet e rajonit të Kherson u kthyen në qytet dhe shërbimet ukrainase filluan të funksionojnë në kryeqytetin rajonal.
Kyiv Independent publikon fotografi nga qyteti i çliruar i Kherson, ku njerëzit parakalojnë në rrugë të gëzuar dhe me flamuj në dorë.



