Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer kritikat ndaj krerëve të Hipotekave në rrethe, të cilët i ka thirrur në një takim në Kryeministri. Teksa kë komunikuar live qëndrimin e tij lidhur me situatën në të cilat gjenden zyrat e Hipotekave në vend, Rama tha se kjo situatë duhet të ndryshojë.
Kreu i Qeverisë theksoi se është absurde mënyra se si këto zyra i trajtojnë qytetarët, duke mos u dhënë zgjidhje problemeve të tyre, por i sorollatin, për arsye aspak ligjore, sipas kryeministrit.
Nisur nga kjo situatë, kryeministri u ka kërkuar të gjithë drejtorëve të Hipotekave në mbarë vendin që të japin dorëheqjen.
“Kam një listë me ankesa që janë drejtuar nga qytetarët, dhe janë trajtuar nga zyra ime. Pjesa dërrmuese e rasteve janë shkelje flagrante e shkeljes së të drejtave të qytetarëve nga zyrat tuaja. Kërkohen absurditete që nuk kanë bazë ligjore asgjëkund. Dhe pastaj kur vjen ankesa këtu, iu jepet Hipoteka. Çfarë do të thotë kjo? Po i torturoni njerëzit në mënyra kriminale. Përgjegjës jeni ju, ndaj të gjithë duhet të ikni. Nëse nuk bëhet nuk duhet, por nëse bëhet atëherë pse nuk u bë më parë. Atëherë kush mban përgjegjësi për këto tortura që iu bëhen njerëzve. Po sa njerëz ka përtej atyre që kanë mundësinë të bëjnë një ankesë këtu. Lejet e legalizimit janë njëra anë, pastaj ka edhe me titujt e pronësisë.
Drejtorët që japin përgjigje abuzive, janë jo vetëm për t’u hequr nga detyra, por edhe t’u hiqet diploma e dëftesa e shkollës së mesme, për ta lënë me certifikatën e 8-vjeçare. Historia e hipotekave është një tallje kolektive me njerëzit. Duke parë edhe raportin e kërkesave me përgjigjet, unë nuk di më se çfarë mund të them tjetër, përveçse ju të gjithë nga i pari duhet firmosni dorëheqjes sot që të paktën të ikni me dinjitet fundor nga kjo punë. Se të kesh 238 kërkesa pa përgjigje nga 246 që ka zyra, dmth t’i jesh përgjigjur në afatin ligjor vetëm 3 % të kërkesave, unë nuk di së ç’mund të them”, tha kryeministri Rama.



