
Kompania private spanjolle e hapësirës ajrore, PLD Space, lëshoi sot raketën e saj me ripërdorim Miura-1 nga një bazë në Huelva në Spanjën jugperëndimore, duke i dhënë jetë ambicieve europiane të hapësirës.
Testimi i raketës ishte një sukses pasi dy përpjekjet e mëparshme dështuan.
Raketa Miura-1 (e quajtur sipas racës së famshme të demave Miura) është sa lartësia e një ndërtese trekatëshe dhe mund të mbajë një ngarkesë prej 100 kilogramësh.
Videoja nga kontrolli i misionit tregoi emocionin teksa raketa u ngrit në qiellin e Huelva, ku përgjegjësit brohoritnin dhe uronin njëri-tjetrin.
Majin e kaluar, përpjekja e parë e lëshimit të raketës Miura-1 u ndërpre për shkak të erërave të forta. Një përpjekje e dytë, në muajin qershor, dështoi për shkak të një problemi teknik.
Nisja e sotme testuese ishte e para nga dy misionet e planifikuara suborbitale.
Analistët theksojnë se basti i madh për PLD Space është zhvillimi i një rakete më të madhe, Miura-5, e projektuar për të mbajtur satelitë. Misioni i parë i Miura-5 pritet në vitin 2025.



