
Një nxënës i mitur i shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini” në Gramsh, ka humbur jetën si pasojë e një sherri me thika.
Nga të dhënat paraprake raportohet se viktimë ka mbetur nxënës i shkollës 9-vjeçare Fatjon Bici.
Krahas tij ka mbetur i plagosur dhe 15-vjeçari Marko Liçi i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Marko Liçi 15 vjeç dhe Fatjon Bici 15 vjeç janë kushërinj me njëri tjetrin. Sipas burimeve konflikti ka filluar dy javë më parë tek një kënd lojërash në Gramsh për shkak të rrjeteve sociale por nuk është mbyllur konflikti ku sot dy kushërinjve i kanë dalë përsëri në sulm katër personat e tjerë.
Nga ana e policisë është bërë shoqërimi i katër adoleshentëve, ku mes tyre është dhe autori i dyshuar.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 13:30, në lagjen “Sport 2”, Gramsh, në rrugë, pas një konflikti të çastit mes 5 adoleshentëve është plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), njëri prej tyre, shtetasi F. B., 15 vjeç, i cili pasi është dërguar në spital, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve.
Shërbimet e policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Pas ndjekjes nga policia, janë kapur dhe janë shoqëruar në Komisariat, 4 adoleshentët (ndërmjet tyre dhe autori) e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit E. K., 15 vjeç, A. C., 14 vjeç, O. C., 14 vjeç dhe S. M., 15 vjeç të cilët do të merren në pyetje nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në prani të prokurorit, të psikologut dhe të prindërve të tyre.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimin e autorësisë së ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve, do të ketë njoftim për arrestimin e autorit dhe për masat që do të merren për 3 shtetasit e tjerë të shoqëruar.



