
Drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNA, Aleksandër Trajçe deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se padia për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në lagunën e Nartës ishte fokusuar në shkeljet mjedisore që po kryen në këtë zonë të mbrojtur dhe se vendimi për mospraninim e saj nga Gjykata ishte surprizues.
Duke vijuar shpjegimin e tij Trajçe tha se ka shumë shkelje në lidhje me këtë projekt, duke nisur me deklaratën mjedisore e cila është miratuar 10 ditë pas nisjes së punimeve të aeroportit.
Po ashtu Trajçe tha se dokumentacioni që shoqëron këtë projekt është klientelist dhe me vlerësime jo të pavarura.
Padia është shpënë përpara nga 2 organizata mjedisore. PPNA është prej tyre. Objekti i padisë ishte shumëdimensional, ishim të fokusuar në shkeljet mjedisore që vihen re me procedurat që lidhen me ecurinë e aeroportit të Vlorës. Deklarata mjedisore është miratuar 10 ditë pas fillimit zyrtar të ndërtimeve. Që një projekt të fillojë zbatimin duhet të ketë deklaratën shumë më para se data e fillimit të projektit. Deklarata mjedisore ka një datë, të gjithë e dimë që më 28 nëntor 2021 me pompozitet u fillua ndërtimi i aeroportit të Vlorës, data që koinçidonte me shpalljen e pavarësisë, deklarata mjedisore është miratuar më 6 dhjetor të citit 2021. Punimet filluan pa deklaratë mjedisore. Ky ishte një nga elementët më të rëndësishëm, si dhe elementë të tjerë. Procesi i vlerësimi të ndikimit në mjedis është dokumentacion që duhet të shoqërojë çdo ndërtim dhe duhet të vijë nga ekspertiza në terren, nga biologë, ekspertë të cilësisë së ajrit, ujërave. Në dokumentacion kemi vënë re pasaktësi të shumta. Të dhëna që nuk përputhen me realitetin në terren, kemi vënë re vlerësim klientelist të projektit. Kemi vënë re një vlerësim të padrejtë, jo të pavarur .
Kemi vënë re që është dokument klientelist, i anshëm, për të mbështetur një vendim të marrë, ndërtimit e aeroportit.
Vendimi i mospranimit të padisë ishte surprizues. Padia në tërësinë e dokumentacionit shkonte në mbi 1400 faqe, ishte dokumentacion i plotë, i shkeljeve dhe evidentimeve që ishte bërë. Në një periudhë pas një jave që e dorëzuan vjen vendimi për mospranimin. Një javë nuk mjaftojnë për ta lexuar dhe jo për ta rrëzuar. Argumentimi ishte absurd thuhet që organizatat në fjalë nuk legjitimohen për ngritjen e padisë pasi nuk preken nga ndërtimi i aeroportit. Organizatat i ka legjitimuar gjykata si entitet që punojnë për të ruajtur mjedisin. Punojnë dhe për ata që nuk kanë zë, si kafshët dhe shpendët. Raste të tjera hidrocentralesh, organizatash janë legjitimuar për të ngritur çështje me impakt mjedisor.
Aeroporti i planifikuar i Vlorës do të sjellë dëme të pariparueshme në një ekosistem unik, në ekosistemin e deltës së Lumit të Vjosës dhe lagunës së Nartës. Ndërtohet në një nga zonat më biodiverse. Ai ndërpret koridorin natyror të shtegtimit që përdorin ligatinat e Adriatikut. Është një nga zonat më rëndësinë më të madhe, është evidentuar nga dhjetëra ekspertë. Është vendndodhja më e gabuar për të ndërtuar një aeroport, është vërtetuar nga ekspertë.
Refuzimi nuk përbën pengesë për betejën ligjore. Vendimi është apeluar dhe do të ndërmarrim hapat. Kemi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërtimi i aeroportit është ilegjitim se ndodh në një zonë të mbrojtur dhe procedurat që janë marrë për ta ndërtuar janë ilegjitime.



