
Mjeku Hamdi Ramadani në një intervistë për MCN u shpreh se megjithëse vendi fqinjë nuk ka konfirmuar ende asnjë rast me variantin e ri Omicron, në një të ardhme të shpejtë varianti do të jetë në qarkullim dhe në Kosovë.
Ramadani u shpreh se Kosova mund të arrijë të menaxhojë dhe një valë të pestë që mund të shkaktohet nga varianti i ri Omicron, pasi sipas tij rreth 60% e popullsisë është e vaksinuar me dy doza dhe kapaciteti në spitale është i qëndrueshëm.
“Shifrat janë të arsyeshme dhe për fat të mirë vdekshmëria ka rënë dukshëm. Kjo është situatë e qëndrueshme, por bazuar në të dhënat e deritanishme tregojnë se dhe Kosova në një të ardhme të shpejtë do të qarkullojë Omicron.
Deri më tani situate në spitale është e qëndrueshme, por nëse një valë e 5-të godet Kosovën atëherë situata mund të ngarkohet. Mendoj se ne kemi kapacitetin që mund ta menaxhojmë situatën. Ju e dini që në Kosovë mbi 60% e popullsisë është e vaksinuar me dy doza dhe kjo tregon se ne mund të jemi në një situatë të qëndrueshme karshi vendeve në rajon. Megjithatë edhe me dy doza nuk mund të mbrohesh nga Omciron.
Bazuar në këto të dhëna dhe ardhjen e qytetarëve nga shtete të tjera, është e mundshme se dhe ne do të ballafaqohemi me variantin Omicron.”, u shpreh Ramadani.



