
Autoritetet greke kanë caktuar këtë të martë masën e sigurisë “arrest me burg” për pilotin 32-vjeçar Babis Anagnostopoulos, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij 20–vjeçare Caroline Crouch. Sipas atyre që raportojnë mediat greke, Anagnostopoulos është dërguar në burgun e grave në Korydallos, për arsye sigurie.
Avokati i pilotit Alexandros Papaioannidis është shprehur për mediat se të akuzuarit iu bënë një sërë pyetjesh dhe se ai nuk i ndryshoi deklaratat e bëra më herët. “I akuzuari tregoi variantin e tij të ngjarjes. Se atë që bëri e bëri për të mirën e fëmijës. Ai do të japë ndihëm e tij për dy familjet që do të kujdesen për vajzën”, është shprehur avokati i pilotit 32-vjeçar.
Më herët Babis Anagnostopoulos ka kërkuar falje pasi shkatërroi dy familje dhe të ardhmen e vajzës së tij, Lidia. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që në çështje të përfshihen prova që ai nuk e planifikoi vrasjen e 11 majit në Glyka Nera. Konkretisht, ai i paraqiti një kërkesë hetuesit në mënyrë që të kryhet një ekspertizë në kamerën që ndodhej brenda shtëpisë në Glyka Nera, për të konstatuar, sipas pohimeve të tij, saktësisht se kur i ishte hequr karta e memories.
Kërkesa e dytë e paraqitur në hetuesi nga bashkëshorti ka të bëjë me thirrjen e dëshmitarëve nga familja dhe ambienti miqësor i çiftit, në mënyrë që këta persona të japin një tablo të plotë të marrëdhënies që ai kishte me 20-vjeçaren fatkeqe.



