Deputeti i PDK Hisen Berisha tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se liderët e partive opozitare në Kosovë duhet të ulen dhe të shohin alternativat për krijimin e një qeverie pa Albin Kurtin.
Ai theksoi se PDK ka dy kushte të patejkalueshme për qeverinë e re, që kryeministri të jetë i PDK-së, dhe të zbatohet programi i kësaj partie pa hequr asnjë pikë.
Ndër të tjera ai aludoi për manipulime të votave, përmes parave të hedhura për të sjellë emigrantët në Kosovë, apo metodave të tjera “informale dhe hibride”.
“Në bazë të raporteve të KQZ, numërimi ka shkuar deri në 90 për qind. Partitë s’kanë lëvizur shumë. Mendoj që këtu do mbeten shifrat, 40 për qind VV-ja, 22 është PDK-ja, 17 LDK-ja, e kështu me radhë. S’mund të ketë lëvizje dhe ndryshime të mëdha. Tani janë rrethanat e tjera të votave për kandidatë. Partia qeverisëse ka një rënie të madhe, mbi 100 mijë vota të humbura. PDK ka një rritje të ndjeshme.
Tani këta duhet ta gjejnë një zgjidhje për të krijuar një qeveri stabile, pasi para nesh janë vendime të mëdha, procese të mëdha. Kësaj radhe partitë e opozitës kanë operuar në diasporë, dhe tashmë VV s’e ka më atë fluks votash nga diaspora. Nuk ka ndonjë shtim të madh. Avionët, autobusët që u paguan për të sjellë diasporën, ku u morën paret? Duhet një hetim. Këto ndodhëm mbrëmë. Kam dalë me propozimin që Prokuroria Speciale të administrojë KQZ-në, përmes ekspertëve të vet. Procesi duket i rregull sa i përket standardeve formale, por manipulimi bëhet përmes metodave informale, hibride. Por ne s’krijojmë kriza për mospranim të zgjedhjeve”.
I pyetur a keni në plan të realizoni koalicion, Berisha tha:
“Në shifrat që po jepen tani, e fituara është opozita. Po t’i kalkulojmë, shohim që opozita mund ta bëjë qeverinë, pavarësisht se VV ka marrë 40 për qind-shin. Partitë e opozitës mund ta bëjnë qeverinë pa patur nevojë për votat e pakicave dhe Listës Serbe. Liderët e partive opozitare duhet të ulen dhe të shohin alternativat për krijimin e një qeverie. Krejt çfarë është e nevojshme sot në Kosovë është largimi nga qeverisja e Kurtit. Emëruesi i përbashkët i këtyre viteve qeverisje është falimentimi i shtetit të Kosovës. Kusht i patejkalueshëm do të jetë që kryeministri do jetë i PDK-së. Kushti i dytë është që programi i PDK-së do zbatohet në tërësi, pa hequr asnjë pikë nga ai”.



