
Gazetari Hamdi Jupe, ka rikthyer në publikim disa nga shkrimet e tij, lidhur me ngjarjet historike të periudhës së tranzicionit. Ai thotë se ka qenë gazetarë dhe për 15 vjet ishte anëtar i komitetit të Partisë së Punës.
Jupe tregon për "Arnautistan" të Mustafa Nanos, se Sali Berishën e ka njohur që në vitin 1990, duke thënë se ka ruajtur me të një lloj miqësie në distancë, ku kujton se ishte i vetmi gazetar i opozitës asokohe.
I pyetur nëse e pajton Berishën e 1990-ës me atë në vijim, thotë se në disa detaje e pajton.
“Berisha ishte një ekstremist që në atë kohë. Kryeredaktori na kërkonte që të redaktonim ndonjë fjalë, por Berisha nuk pranonte. Kërkonte modifikim, pasi dukej sikur thoshte të lejohej pluralizmi politik. Kthimi i Berishës në kampin demokrat ishte i panatyrshëm, vajti si i dërguar nga Ramiz Alia për të diskutuar me studentët dhe tha më pas se jam unë me ta. Fotografitë e dala më tej se ishte pjesë e bllokut komunist, e ulin vlerën e tij. Në varkën në Drilon, Berisha është ekspozuar që atëherë. Për fat të mirë, me Ramiz Alinë nuk jam takuar asnjëherë, nuk më ka pëlqyer. Nuk ka luajtur as rol pozitiv as negativ, i ka bërë veprimet i detyruar. Ai nuk mbetet në histori si njeri i pluralizmit. Deri në 2 korrik ne mendonim se vendi po hynte në rrugën e reformave. Kur ndodhi 2 korriku, ai ndërpreu çdo gjë si me sëpatë dhe ne kuptuam se gjithçka ishte lustër. Në atë kohë na braktisën të gjithë intelektualët në gazetë”, u shpreh Jupe.
Më tej thotë se opozita tek ne u paraqit shumë e egër, duke ngjallur frikë pasi mendohej se do të bëhej kasaphanë me mënyrën se si dilte opozita nëpër shesh. Jupe kujtoi se Azem Hajdari kërkoi që të shkatërroheshin hidrocentralet duke thënë se nuk duhen më dhe se ndërmarrjet u shkatërruam.



