Qeveria do të mbulojë kostot shtesë të zbatimit të transmetimeve dixhitale nga stacionet televizive private. Një projektligj i dorëzuar në Kuvend nga Ministria e Financave dhe Ministria për Inovacionin, propozon kompensimin financiar të operatorëve televizivë privatë në procesin e dixhitalzimit të transmetimeve.
Për vijimin e ofrimit të shërbimit mediatik audioviziv jepet kompensim financiar për kalimin nga transmetimet analoge në transmetimet numerike, argumentohet nga hartuesit e draftit. Fondet e nevojshme për kompensimin financiar krijohen nga pagesat në vlerën e arritur në procesin e konkurrimit për frekuencat e brezit 790-862 MHz, e cila derdhet në buxhetin e shtetit nga fituesit e të drejtave të përdorimit të tyre. Masa e kompensimit financiar do të jetë minimalisht 5 milionë euro dhe financohet nga të ardhurat e arkëtuara nga dhënia e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave të Dividentit Numerik. Në çdo rast, kjo masë nuk tejkalon shumën prej 10% të vlerës së arkëtueshme të të ardhurave nga dhënia e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave.
Ky fond i jepet, në formën e transfertës, Autoritetit të Mediave Audiovizive, për t’u përdorur për kompensimin financiar. Masa e kompensimit financiar do të ndahet dhe do të përdoret për: a) 1/5 e tij do të përdoret për të mbuluar pjesërisht tarifën e mbështetjes të operatorëve ekzistues lokalë/rajonalë në rrjetin numerik të RTSH-së apo në rrjetet e tjera numerike të licencuara sipas ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”; b) 2/5 e tij do të përdoren për të mbuluar pjesërisht investimet e operatorëve me eksperiencë në transmetime numerike, që dalin jashtë funksionit si rezultat i ndryshimeve teknologjike të imponuara nga ligji nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. C) 2/5 e tij do të përdoren për të mbuluar pjesërisht investimet e operatorëve privatë historikë kombëtarë për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit nga analoge në numerike. Mënyra e ndarjes së detajuar brenda secilit nëngrup, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, mbi bazën e propozimit të AMA-s, duke respektuar parimin e objektivitetit, të proporcionalitetit dhe mosdiskriminimit, nënvizohet në projektligj.



