
Analisti Neritan Sejamini theksoi rëndësinë e hetimit të Erion Veliajt, duke e cilësuar atë si personin e dytë më të rëndësishëm në Partinë Socialiste për aspektin politik.
Ai shtoi se ky hetim ka një domethënie të madhe për drejtësinë dhe për Shqipërinë në përgjithësi, pasi tregon që askush, as ata që ndodhen në pozita të larta, nuk janë të paprekshëm nga ligji.
Hetimi i Veliajt mund të nënkuptojë se korrupsioni ka depërtuar deri në majat e pushtetit, gjë e cila ka ndikim negativ në imazhin dhe fuqinë e Partisë Socialiste.
“Veliaj ka qenë personi i dytë më i rëndësishëm në PS për aspektin politikë. Fakti që po hetohet ka një domethënie shumë të madhe. Përtej këtij fakti mund ta interpretosh që drejtësia po nxjerr para drejtësisë këdo, mund ta interpretosh që korrupsioni ka arritur deri në majat e pushtetit. Për PS kjo është diçka që e dëmton në imazh dhe aftësinë dhe pushtetin e saj.
Tashmë ne kemi që nuk kemi vetëm hetim për këto vepra penale, por edhe mundësinë për përfshirjen e tij në aferat e 5D dhe inceneratorëve.”
Sipas Sejaminit hetimet ndaj Bashkisë së Tiranës kanë ardhur si pasojë e referimeve nga shoqëria civile dhe mediat, duke theksuar rëndësinë e tyre në mbikëqyrjen e pushtetit.
“Veliaj ka qenë njeriu i dytë më i pushtetshëm në Shqipëri, detyra e opozitës dhe shoqërisë civile është ti kërkojë llogari pushtetit. Nëse opozita i ka bërë këto gjëra, kjo është gjë e shëndetshme për vendin. Që drejtësia të veprojë, Veliaj duhet të japë llogari dhe është gjë fantastike që opozita ka ngritur zërin. Të dyja procedimet që hetohet Bashkia Tiranës, janë hetime që janë referuar shoqërisë civile dhe mediat.”
Më tej Sejamini komentoi gjithashtu përçarjen brenda opozitës, e cila ka kaluar një periudhë të vështirë organizative. Sipas tij, megjithëse kjo çarje duket se është tejkaluar, opozita ka ende sfida të mëdha sidomos në organizimin e saj.
Sejamini theksoi gjithashtu ndikimin e medias, e cila, sipas tij, është shpesh në shërbim të PS, duke krijuar një ndarje në raportimin e ngjarjeve politike.
“Opozita ka një sërë problemesh, e para është përçarja që ndodhi në pikëpamjen organizative dhe harmonisë së saj. Kjo duket se është tejkaluar, por ka një punë të madhe organizative. Kjo është një sfidë e madhe për të dhe PD ndeshet me vështirësi të mëdha financiare dhe fushatat janë bërë shumë të shtrenjta. Një tjetër vështirësi e PD është dhe faktori i medias të cilat janë në shërbim të PS.”



