
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro është paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kumbaro u paraqit në ambientet e SPAK dhe qëndroi aty për rreth katër orë.
Pasi doli nga godina, në një deklaratë të shkurtër për mediat, ajo tha se ishte thirrur për një çështje që ka të bëjë me Stadiumin Arena.
Ende nuk është e qartë se për çfarë çështje bëhet fjalë konkretisht, por burime thonë për MCN se thirrja e Kumbaros në SPAK mund të lidhet me keqmenaxhimin e territorit tek Stadiumi Arena, ku midis sektorit privat dhe atij publik mund të ketë probleme që lidhen me keqmenaxhimin.
Në vitet 2016- 2019 kur është prishur stadiumi Qemal Stafa dhe është ndërtuar Stadiumi i ri ku bëjnë pjesë Stadiumi Air Albania dhe Arena Centre, Kumbaro mbante postin e Ministres së Kulturës, Turizmit dhe Sportit.
Kjo mund të mos jetë hera e fundit që Mirela Kumbaro paraqitet në dyert e SPAK, pasi ajo mund të thirret dhe për çështjen mbetjeve të rrezikshme të kompanisë "Kurum", si një nga çështjet më të rënda mjedisore të viteve të fundit në vend, kohë kur ajo mbante pozicionin e ministres së Turizimit.



