Në Siri, druzët po tentojnë autonominë, ndërkohë që kryeministri Netanyahu deklaroi se zona mes Damaskut dhe Izraelit është jashtë kontrollit sirian. Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, tha në një intervistë në MCN TV se Izraeli po e mbështet këtë komunitet, pasi synon që ta kthejë atë në një mekanizëm që parandalon shqetësime të mundshme nga Siria.
Izraeli ka shpalosur ambiciet e tij të njohura për të kontrolluar rajonin e Lindjes së Mesme. Në këtë kuadër duhen parë luftimet në Gaza, ku bëri një masakër urbane duke e kthyer në tokë të djegur. Ka goditur Iranin, Libanin, Jemenin. Tani i vjen radha Sirisë. Druzët që janë një minoritet 700 mijë veta të vendosur në Lartësitë Golan. Izraeli kërkon që këta të krijojnë zonën tampon që të minimizojë rreziqet që mund të vijnë nesër. Në Izrael për shkak të origjinës së tij nuk besojnë se Al Sharah nuk do të sjellë nesër turbullira. Izraeli kërkon që të bëjë edhe këtu atë që bëri në Liban. Lartësitë Golan u pushtuan në 1967 dhe që atëherë Izraeli nuk i ka lëshuar më. Është një zonë strategjike nga ku Izraeli kontrollon. 150 mijë druzë që janë shtetas izraelitë përdoren nga Izraeli si instrumente që nga Siria të mos u vijnë shqetësime.
Milo u pyet edhe në lidhje me deklaratën e kryeparlamentares Spiropali, e cila gjatë një takimi me homologun turk sot, tha se Turqia është garant historik dhe natyral i sigurisë rajonale.
Turqia mund të jetë një shtet i rajonit që kontribuon në garantimin e paqes dhe sigurisë së rajonit. Por nuk është e vetmja. Ka edhe aktorë të tjerë, edhe Shqipëria mes tyre. Ndaj duhet që këtë deklaratë duhet ta marrim me rezervë, jo për rolin që po luan Turqia, por në një kontekst më të gjerë rajonal, ku çështja e sigurisë është çështje e të gjitha vendeve të rajonit. Kushdo që kontribuon për paqen dhe sigurinë në Ballkan është i mirëseardhur dhe i vlerësuar. Në këtë aspekt, Turqia është një kontributor i sigurisë rajonale.
Konstatimi duhet vendosur në kuadrin e partneritetit strategjik që ka Shqipëria me Turqinë. Por kjo nuk duhet absolutizuar dhe të anashkalojmë marrëdhëniet me të tjerët.



