Kurban Bajrami kremtohet në mbarë vendin, mijëra besimtarë myslimanë bashkohen në lutje dhe mesazhe paqeje
Qindra e mijëra besimtarë myslimanë në të gjithë vendin kanë falur mëngjesin e kësaj të mërkure namazin e Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe harmonie familjare.
Në Vlorë, besimtarët u mblodhën në Pallatin e Sportit “Flamurtari”, ku ceremonia e faljes u drejtua nga Myftiu Ardit Hoxhllaku. Në fjalën e tij, ai vendosi theksin te rëndësia e familjes, mbrojtja e gjuhës shqipe dhe ruajtja e atdheut.
Hoxhllaku ngriti shqetësime edhe për fenomenin e shpopullimit dhe bëri apel ndaj institucioneve për më shumë përgjegjësi, sidomos në parandalimin e aksidenteve tragjike.
Në Lushnje, qindra besimtarë u bashkuan në sheshin qendror të qytetit për faljen e Bajramit. Myftiu Gramos Blliku përcolli mesazhe solidariteti, ndihme ndaj njerëzve në nevojë dhe rëndësinë e sakrificës e harmonisë në komunitet.
Atmosferë festive u regjistrua edhe në Fier, ku besimtarët falën namazin në sheshin qendror të qytetit. Kreu i Myftinisë, Mikele Hazizolli, e cilësoi Kurban Bajramin si një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, që simbolizon sakrificën, solidaritetin dhe ndërgjegjësimin shpirtëror.
Pas faljes, besimtarët shkëmbyen urime dhe vijuan traditën e shpërndarjes së mishit të kurbanit për familjet në nevojë.
Edhe në Durrës, qindra besimtarë iu bashkuan faljes së madhe të Kurban Bajramit në orët e para të mëngjesit.
Në Gjirokastër, ceremonia e faljes u zhvillua në Pallatin e Sportit dhe u drejtua nga myftiu Ermin Gjana, i cili uroi besimtarët për më shumë paqe dhe ditë më të mira.
Në Elbasan, qindra besimtarë myslimanë falën Kurban Bajramin në sheshin “Gensher”. Ceremonia u drejtua nga imami Gëzim Karaj, ndërsa myftiu Agim Duka përcolli mesazhe për bashkim, tolerancë, solidaritet dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit.
Në falje morën pjesë besimtarë të grupmoshave të ndryshme, përfshirë edhe fëmijë. Pas ceremonisë, qytetarët vijuan kremtimet tradicionale pranë familjeve dhe të afërmve të tyre.
Ndërsa në Shkodër, myftiu Muhamed Sytari, gjatë hytbes së mbajtur me rastin e festës, u ndal te çështja e pronave dhe respektimi i tyre. Ai kritikoi ndërtimet që, sipas tij, cenojnë pronat vakëf dhe bëri thirrje për reflektim, kthim te vlerat dhe respektim të besimit e pronës.
Në Pogradec, namazi i Kurban Bajramit u fal në xhaminë “Ebu Beker”, ku imami Mirel Mazelli theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve familjare dhe apeloi që akti i kurbanit të mbetet një vepër e sinqertë shpirtërore, larg reklamimit në rrjetet sociale.
Kurban Bajrami konsiderohet një nga festat më të rëndësishme të besimit islam dhe simbolizon sakrificën, devotshmërinë dhe ndihmën ndaj njerëzve në nevojë.



