Në mbledhjen e radhës, KQZ-ja ka parashikuar në rendin e ditës zëvendësimin e dy deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, të cilëve iu hoq mandate javën e kaluar për shkak se ishin subjekt i ligjit te dekriminalizimit.
Pavarësisht se vendimi është ankimuar nga pala e interesuar dhe gjykata ende nuk është shprehur në lidhje me të, KQZ-ja e ka parashikuar zëvendësimin e dy deputetëve në mbledhjen e ditës së premte.
Sipas procedurave ligjore, dy deputetët do të zëvendësohen nga emrat që vijnë në radhë nga listat partiake. Në listat e LSI-së, në qarkun e Vlorës ku Selami doli fitues, pas tij rezulton të jetë Flamur Çelaj, i cili aktualisht mban postin e drejtorit ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil. Por, Çelaj mund t’ia lëshojë vendin Katina Gogas, e cila është e treta në listën e kandidateve për deputetë të LSI-së në Qarkun e Vlorës, për shkak se ligji parashikon më shumë përparësi për gjininë femërore. Ndërsa, deputeti Dashamir Tahiri, i zgjedhur në Qarkun e Vlorës nga listat e PDIU, do t’i lërë mandatin e deputetit Edmond Zejnos.



