
Del në pension Njeriu me Krahun e Artë. James Harrison është 81 vjeç, jeton në Australi dhe e ka fituar këtë nofkë falë një vepre të mirë që ka bërë për vite me radhë.
Ai ka dhuruar gjak çdo javë për 60 vjet dhe sipas Australian Red Cross Blood Service, ka ndihmuar për t’u shpëtuar jetën mbi 2.4 milionë fëmijëve, çka e ka bërë atë një hero kombëtar.
Gjaku i Harrison ka antitrupa unikë që janë përdorur për të krijuar një injeksion të quajtur Anti-D, i cili ndihmon për të luftuar një lloj sëmundjeje e cila bën që gjaku i një gruaje shtatzënë të luftojë qelizat e bebes që mban në bark. Në rastet më të rënda, kjo provokon dëmtim të trurit apo vdekjen e bebes.
Rastet në fjalë janë ato që njihen si “problemet e rezusit”, pra kur nëna ka një grup gjaku Rh- (negative), ndërsa bebja Rh+ (pozitiv).
Harrison ka nisur të dhurojë gjak kur ishte vetëm 14 vjeç dhe shkak për këtë është bërë fakti se atij vetë i kanë dhuruar gjak kur kreu një operacion.
Disa vite më vonë, mjekët zbuluan se gjaku i tij kishte antitrupin që mund të përdorej për të krijuar ilaçin e mësipërm. Në këtë mënyrë, ai ka dhuruar plazmë rregullisht.
Mjekët nuk dinë ta shpjegojnë se pse Harrison ka këtë gjak të rrallë, por mendojnë se kjo mund të jetë pasojë e gjakut që i është dhuruar atij.
Në Australi janë gjithsej 55 persona që kanë gjak me këto karakteristika.



