
Deputeti i zgjedhur Petro Koçi, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për të dëshmuar në lidhje me deklaratat e bëra disa ditë më parë se në Fier duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike.
Jashtë dyerve të SPAK, ku dha sot llogari për deklaratën e tij, Koçi, deklaroi se bota e krimit në Fier është e lidhur me politikën.
Unë jam një nga politikanët që kam bërë kallëzime penale disa herë. Gjatë fushatës denoncova një gjyqtar. Unë jam politikan edhe e ndjej që bota e krimit në Fier është goxha influente. Ky sensibilizim edhe për SPAK është shumë i nevojshëm. Bota e krimit në Fier ka pasur lidhje të konsoliduar me politikën. Mund t’iu them që në marrëdhënie me LSI ndikuan në zgjedhjet e fundit. Kam një vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe i janë përkulur presionit të krimit.
“Duart e krimit mbi financat publike”, Petro Koçi paraqitet në SPAK
Paraditen e sotme Petro Koçi ka ngjitur shkallët e SPAK-ut, pasi prokuroria nisi verifikimet për denoncimet publike të tij.
SPAK ka thirrur deputetin e zgjedhur, pas një statusi publikuar prej tij në rrjetet sociale pak ditë më parë, ndërsa kërkonte hetim mbi financat publike në Fier, që sipas Koçit ishin në duart e trafikantëve.
SPAK hapi një çështje pas deklaratave të deputetit të zgjedhur, i cili shkruante se tenderat në Fier po fitohen nga trafikantët.
Statusi i bërë pak ditë më parë nga Petro Koçi
Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar.



