Homazhet në pallatin presidencial në Buenos Aires kanë hapur zinë treditore që Argjentina do të mbajë për vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona.
Për një vend ku futbolli shihet si pothuajse njësoj si feja, vdekja e Maradonës në moshën 60-vjeçare ka sjellë pikëllim në masë.
Homazhet para trupit të pajetë të futbollistit kanë nisur në orën 6.18 të mëngjesit me orën lokale (10:18 e mëngjesit në Shqipëri) –në Casa Rosada në Buenos Aires. Tifozë të shumtë janë vendosur në radhë gjatë natës për t’i dhënë lamtumirën e fundit legjendës së futbollit. Fillimisht u fol për homazhe që do të zgjasnin 48-72 orë, por familja ka këkuar që ceremonia të mos i kalojë dhjetë orë. Gjatë gjithë natës, La Doce, mbështetësit zyrtarë të ekipit të Boca Juniors, u vunë në rreshtin e parë në pritje të hapjes së dyerve.
“Aftësia e tij e pashembullt në futboll e shndërroi atë në një nga njerëzit më të njohur në botë, duke kaluar kufijtë dhe duke u njohur botërisht si lojtari më i mirë në botë", thuhet në dekretin zyrtar të zisë, që u shpall dje nga presidenti Alberto Fernandez.



