
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar lirimin nga detyra të pesë ambasadorëve shqiptarë, ndërsa ka emëruar edhe dy ambasadorë të rinj.
Në një njoftim për mediat, Presidenca bën të ditur se Gazmend Barbullushi është emëruar Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident.
Ky pozicion mbahej më parë nga Albana Dautllari, e cila është emëruar tashmë Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, rezident.
Nga ana tjetër, Presidenti ka dekretuar lirimin nga detyra të pesë ambasadorëve.
Kështu, është liruar nga detyra Riza Poda, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, rezident, si dhe në disa vende të tjera si Bangladesh, Koreja e Veriut, Vietnami, Mongolia dhe Tajlanda, në cilësinë e ambasadorit jo rezident.
Gjithashtu, është liruar nga detyra Bardhyl Canaj, Ambasador i Shqipërisë në Republikën e Serbisë.
Presidenti Begaj ka dekretuar edhe lirimin nga detyra të Sami Shibës, Ambasador në Republikën Arabe të Egjiptit, si dhe në disa vende të tjera të rajonit në cilësinë e ambasadorit jo rezident, përfshirë Sirinë, Jordaninë, Libinë, Palestinën, Libanin dhe Sudanin.
Po ashtu, është liruar nga detyra Vasilika Hysi, Ambasadore në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë.
Ndërkohë, është dekretuar edhe lirimi nga detyra i Albana Dautllarit si Ambasadore në Belgjikë dhe Luksemburg, përpara emërimit të saj në detyrën e re pranë Bashkimit Evropian.



