
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur keqardhjen e tij për situatën e krijuar në Afganistan, duke thënë se shpreson që të ketë sa më pak viktima ditëve në vijim.
Në një konferencë për mediat, Kurti deklaroi se ka një muaj që kanë zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për strehimin e refugjatëve nga Afganistani në Kosovë.
Kryeministri tha se është ministri i Punëve të Brendshme dhe shefi i stafit në Kryeministri, në krye të ekipit që po bëjnë bisedime me aleatët e SHBA-së.
Qytetarët kudo në botë jo vetëm që e meritojnë por edhe iu takon demokracia, liritë dhe të drejtat, dhe ne shpresojmë dhe urojmë më të mirën për qytetarët e Afganistanit. Në anën tjetër, ka një muaj që Qeveria e Kosovës është në kontakt me SHBA-në, për të përgatitur në aspektin organizativ, strehimin dhe mbrojtjen e një numri refugjatëve të Afganistanit. Ne e kemi SHBA-në aleatin kryesor dhe partnerin strategjik të pazëvendësueshme dhe çështja e strehimit të refugjatëve përveç aspektit humanist nga ana jonë, ka edhe dimensionin nga partneriteti me SHBA-të.
Ndër të tjera, Kurti bëri të ditur se hollësitë për refugjatët janë duke u diskutuar me SHBA-në dhe se kur ata të kenë njoftimet konkrete për numrin e tyre, do të bëjnë publike të dhënat edhe në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tani ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.



