Demokracia shqiptare të paktën që nga viti 2003 bën hapa mbrapa në mënyrë sistematike, prej 22 vjetësh. Në vitin 2003 u hoq rregulli i balotazhit për zgjedhjet në të gjitha fazat kur sistemi është mazhoritar.
Në 2003 ishte akoma sistemi mazhoritar për parlamentin dhe kjo vlente dhe për kryetarët e bashkive, minibashkive dhe komunave. Balotazhi ishte goditja e parë për eliminimin e pluralizmit, dëmtimin e gjithë partive të vogla dhe shtrimin e rrugës për të mbërritur këtu ku kemi mbërritur tek një sulltan dhe një pasha që janë këta të dy.
Kështu tha Kastriot Çipi në emisionin “Arnautistan” në MCN TV, duke deklaruar se ndarja mes diktaturës dhe demokracisë nis fillimisht tek zgjedhjet e lira.
Ai shtoi se nëse prodhojnë rezultat të deformuar, zgjedhjet nuk janë të lira dhe as të ndershme, se nuk prodhojnë rezultatin e përkthyer në mandate të votës së qytetarëve.
Çipi u shpreh se nëse Kushtetuta është pushteti i sovranit, nuk mund t’ia heqësh të drejtën në asnjë kohë popullit për të ndryshuar Kushtetutën dhe se për ngjarjet kryesore që ndikojnë në jetën e një populli, populli nuk pyetet.
Neni 64 i Kushtetutës që këta e hoqën në vitin 2008, i cili thoshte se numri i mandateve duhet të jetë në përputhje me numrin e votave që ka marrë secila parti, ky parim nuk është më, parimi i shpërndarjes së drejtë.
Ka një konspiracion ndërkombëtar, me bashkëpunimin e Ramës, Berishës, Metës, Nanos dhe gjithë të tjerëve që demokracia shqiptare të përfundojë këtu ku ka përfunduar dhe unë nisem nga tre nene të Kushtetutës.
Një nen që është preambula e Kushtetutës, që jemi ne populli sovrani që e vendosim këtë Kushtetutë. Pastaj janë dy nene që e hedhin kokëposhtë nenin e parë, që tregojnë se Kushtetuta nuk është më e qytetarëve.
I pari është neni 177 i cili përcakton se si ndryshon Kushtetuta, kur qytetarët nuk kanë më të drejtë fjale për të ndryshuar Kushtetutën, këtë e ka vetëm parlamenti me 2/3 e votave.
Ka një nen tjetër që shumëkush e lë në heshtje dhe nuk e ka idenë se çdo të thotë, po vijnë ngjarje tronditëse që tregojnë se ku fshihet lepuri dhe neni thotë që marrëveshjet që Shqipëria miraton, janë të detyrueshme për zbatim dhe kanë përparësi jo vetëm mbi ligjet e vendit, por mbi të drejtën kombëtare.
Çfarëdo që kemi vendosur në Kushtetutë në 1998 dhe çfarëdo deputetët kanë vendosur me ligje nga 2008 e këtej, nëse qeveria firmos një marrëveshje ndërkombëtare, për shembull traktatin e ri të OBSH nuk ke ku të ankohesh më, nëse ky traktat hyn në fuqi. Vendet kanë popuj dhe popujt duhet të pyeten me referendum nëse e duan një ndryshim apo jo.
Nëse Kushtetuta është pushteti i sovranit, nuk mund t’ia heqësh të drejtën në asnjë kohë popullit për të ndryshuar Kushtetutën.
Edhe është e imja edhe nuk mund ta ndryshoj dot. Për ngjarjet kryesore që ndikojnë në jetën e një populli, populli nuk pyetet. Dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por në Shqipëri është fare e dukshme se Kushtetuta është fare e re dhe është inxhinieruar për të na hequr fare të drejtat.



