Edmond Spaho, ish-deputet i Partisë Demokratike, paralajmëron se drejtimi i partisë pritet të mbetet i pandryshuar, me rizgjedhjen e Sali Berisha dhe konfirmimin e të njëjtit ekip, pavarësisht humbjeve elektorale. Sipas tij, në PD po përsëritet e njëjta situatë, ndërsa premtimet për demokratizim nuk janë reflektuar në praktikë. Spaho thekson se vendimmarrja mbetet e centralizuar dhe kritikon mungesën e hapësirës për mendim ndryshe. Ai nënvizon gjithashtu se në parti kanë nisur përjashtimet ndaj zërave kritikë që dalin kundër vijës zyrtare.
Nuk më duket se ka ndonjë zhvillim krejt ndryshe nga herët e tjera. Po bëhen përgatitjet për zgjedhjet për kryetar partie, por dhe për organizmat e tjera, Këshillin Kombëtar, Kryesinë. Mesa shoh do të zgjidhet Berisha me rezultat të thellë, nëse do të ketë kandidat tjetër. Kur të vijë koha për të zgjedhur Këshillin Kombëtar ose Kryesinë, do të ketë ndryshime, por të vogla. Ky ekip do të konfirmohet pavarësisht se humbi zgjedhjet e 2025. Shoh përsëritje të gjendjes.
Rithemelimi filloi si një rikthim i PD-së me disa premtime bazë si ndryshimet në statut, kalimi i përgjegjësisë për zgjedhjen e niveleve drejtuese dhe atyre që kandidojnë tek anëtarësia, vendosja e nenit të dorëheqjes, vendosja e primareve dhe disa ndryshime që synonin demokratizimin e PD. Nuk u vërtetuan dhe asnjë nga këto premtime nuk i shoh të realizuara. Vula iu vu me zgjedhjet e kandidaturave për deputet në zgjedhjet e 2025, ku megjithëse u zhvilluan primaret, një pjesë e konsiderueshme që zunë vendet e para në primare nuk u kandiduan ose u nxorën në listë të hapur. Na rikthen në atë fazë që kemi qenë me Bashën.
Arsyeja pse u largua Basha ishte se humbte zgjedhjet dhe nuk largohej. Aty vendos Berisha për çdo gjë, të tjerët janë zbatues të vullnetit të tij. E djathta sot është në një rrugë pa krye. U bënë 13 vite që po përpiqemi të rikthehemi në pushtet, nuk po ia arrijmë dot. Ashtu sikurse komentuan dhe përfaqësuesit e PPE-ve që erdhën para 3-4 javësh, PD-ja ka nevojë të bëjë analizë të brendshme të saj para se të zgjerohet dhe të krijojë koalicion të gjerë partish politike që të bashkohen dhe të punojnë për të ardhur në pushtet. PD duhet të jetë bindëse për qytetarët dhe kjo nis që nga zbatimi i statutit.
Nuk mund të rrëzohet Rama me protesta anemike. Ne s’jemi në gjendje të nxjerrim 100 mijë veta në shesh, duhet program, nuk mjafton vetëm kritika e qeverisë. Nuk ka nevojë të hallakatesh në shumë drejtime, por tek paga, pensionet, bujqësia etj. PD është e fokusuar në kritikën e qeverisë. PD i mungon mbështetja ndërkombëtare. Nuk mund të vish në pushtet me molotov. Molotovi është praktikë e ekstremit të majtë dhe grupeve ekstremiste.
Ka plot individë të mençur, por është vështirë ta shprehësh mendimin ndryshe, se po shoh praktika të përjashtimit. Ishin dy këshilltarë të Këshillit Bashkiak në Durrës që ishin përjashtuar nga PD për qëndrime publike në kundërshtim me vijën politike të partisë.



