
Një atentat që do kryhej ndaj politikanëve në Kosovë është arritur të zbulohet nga shërbimet sekrete të vendeve partnere, ndërsa në shënjestër ka qenë kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe disa deputetë të kësaj partie.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe policia e Kosovës, ku zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se janë duke hetuar këtë rast, duke e cilësuar si “kanosje”.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u shpreh Krasniqi.
Siç u raportua në media kërcënimi është denoncuar nga organet gjermane të sigurisë. Po ashtu këto organe kanë rënë në gjurmë të një përgjimi ku flitet për një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie.
Pas lajmit në media, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, ka thënë për RTV Dukagjinin, se kanë pranuar një informacion të kësaj natyre dhe se atentati është planifikuar për arsye politike.
“Mund të konfirmojë se ka pasur një lloj planifikimi në Kosovë dhe disa vende të BE-së dhe jashtë territorit të Evropës. Individët kanë rënë pre e përgjimeve të njërës prej agjencive inteligjente kryesore të një vendi të BE-së. Nga ajo që na është thënë ka pasur një plan të strukturuar për atentat ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve të LDK-së”, tha ai.



