Rënia e numrit të studentëve në universitetet publike dhe orientimi gjithnjë e më i madh drejt universiteteve private apo studimeve jashtë vendit po ngre shqetësime serioze për të ardhmen e arsimit të lartë në Shqipëri.
Pedagogët Romina Radonshiq dhe Enriko Ceko duke folur për “MCN Economy”, e lidhin këtë fenomen jo vetëm me emigracionin masiv dhe uljen drastike të lindshmërisë, por edhe me problematikat e vetë sistemit universitar në vend.
Sipas tyre, mungesa e investimeve, cilësia e dobët në disa institucione publike, si dhe tregu i punës që nuk garanton paga dinjitoze për të diplomuarit, po i largojnë të rinjtë nga universitetet shqiptare.
Ndërkohë, universitetet private po fitojnë gjithnjë e më shumë terren, duke u perceptuar si më cilësore dhe më të orientuara drejt nevojave të studentëve. Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë do të ketë pasoja afatgjata për vendin dhe zhvillimin e tij.
Pedagogia Romina Radonshiq:
Është një lajm që do të ndikojë në mënyrë negative dhe në mënyrë afatgjatë, pasi studentë të munguar në universitete shtetërore, pse jo dhe private, do të thotë se një pjesë e mirë e tyte duan të studiojnë në vendet e BE. Sepse do të kenë më shumë mundësi për të gjetur një vend pune dhe për tu integruar në tregun europian të punës.
Nëse jemi popull që e duam arsimin, kanë pasur mundësi të marrin dhe bursa. Akoma në universitetet publike ka fenomene të korrupsionit, të mos dhënies së notës. Ndërkohë që kemi një ndryshim qasje në universitetet private, ndërsa më parë kemi pasur paragjykim. Në të shkuarën kanë shkuar universitetet që nuk kanë qenë të akredituar, mosnjohja e diplomave në vendet e BE.
Universitetet private e kanë kuptuar se çfarë është cilësia e arsimit, me staf akademik të kualifikuar. Ndërsa në shtet kemi dhe pedagog jashtë profilit. Ndërsa universitetet private nuk e bëjnë. Kemi disa universitete private të cilat konkurrojnë në treg. Universiteti privat gjithë kohës merret me studime dhe kurikula që t’i shërbejnë studentit.
Rënia tregon se një pjesë e studentëve kanë zgjedhur të studiojnë jashtë dhe një pjesë nuk duan as të studiojnë, pasi janë të orientuar drejt profesioneve, pasi shohin më shumë mundësi punësimi dhe pagë më të lartë. Por kemi dhe një aspekt negativ, ka humbur dhe dëshira për të ndjekur një universitet, pasi mendojnë që paga që do të marrin nuk e justifikon investimin. E shohin si humbje kohe, pasi nuk do të marrin paga dinjitoze për kualifikimin e tyre.
Pedagogu Enriko Ceko:
Problemi është se ne na ka rënë numri i popullsisë, në 1990 ishim 3.5 milionë banorë, tani brenda Republikës së Shqipërisë, jemi 2.4 milionë. Problemi është se janë larguar shumë nga vendi dhe ata që janë larguar, janë martuar, kanë lindur fëmijë, por ata fëmijë nuk janë në Shqipëri.
Nëse më parë kishim 90 mijë lindje në vit, tani kemi 20 mijë në vit. Para dhjetë vitesh kishim 35 mijë lindje në vit. Për 36 vjet askush nuk e vrau mendjen për rritjen e lindshmërisë. Nuk është puna vetëm 2-3 vitet e fundit, është rrjedhojë e një ngjarje të parashikuar që do ndodhte kështu. Puna është pse nuk bien kambanat, pse nuk ka kambanë fare.
Universiteti i Tiranës renditet i 4100 në botë. Si ka mundësi që universiteti më i mirë i një shteti të mos jetë te 200 më të mirët. Universiteti Bujqësor renditet 4160. Por kjo renditje vjen sepse nuk ka investime dhe se ligji për arsimin e lartë është problematik.
Çdo vit kemi 5000 aplikime për të shkuar për universitete jashtë vendit. 16 mijë ngelen në vend. Për herë të parë vitin e kaluar sektori privat mori më shumë studentë se sektori publik.



