Fshati Berzanë 2 kilometër larg Urës së Zogut është lënë në harresë prej 30 vitesh, duke u lënë jashtë hartës së bashkisë Lezhë.
Emisioni “Fol” në MCN Tv u ndal me banorët e këtij fshati të cilët thonë se shtëpitë e tyre po zbrazen dhe tashmë kanë ngelur vetëm 40 familje nga 170 që kanë qenë dikur.
Gjithçka banorët e justifikojnë prej papunësisë dhe varfërisë, çka i detyron njerëzit të ikin në emigracion.
Njëri nga banorët thotë se në fshat nuk prodhohet asgjë dhe se arat janë përmbytur nga shiu.
Ata denoncojnë se ura e ndërtuar për zgjedhjet e vitit 2021, është shembur, duke e cilësuar si urë elektorale.
Nuk dinë se nga bie fshati. Kryetari i bashkisë ka ardhur njëherë kur u prish ura. Kush nuk e njeh urën bie në kanal. Në fshat në total ka rreth 10-15 fëmijë.
Nuk kemi çerdhe, nuk kemi qendër shëndetësore. Ka qenë por nuk është më. Është mbyllur, nuk ka as mjek asgjë në botë, ikim në Zejmen për mjekim.
Shkolla është por është bosh, as kopsht asgjë. Nuk kemi asgjë në botë, vetëm shtëpitë. Shteti nuk ka ardhur kurrë të na shohë. Asnjë lloj shteti. Vijnë për fushatë dhe ikin për punë të vetë.
Këtë vit nuk kanë ardhur, do vinë. Na premtojnë se do bëjnë rrugët, do pastrojmë arën që ka marrë uji dhe i kam mbirë ferra. Mbillnim grurë, duhan, perime.
Kemi rrugën e varrezave na thonë do i bëjmë. Nëse na vdes njeri, ne e çojmë në krahë në varreza.
Një tjetër banor bëhet nostalgjik për kohën e diktaturës duke thënë se ishin më mirë atëherë se tani.
Ishim lule me Enver Hoxhën, atëherë kishim gjithçka me institucione, me shkolla e gjëra. Rruga ka qenë e rregullt, kalldrëm i mirë.
Kalonin makina të rënda, të vogla të mëdha, është vend i mbrojtur nga shteti, të dalësh të presësh një dru në mal të dalin dhe të kapin.
Ndërsa për ujësjellësin banorët thonë se e ka bërë një shoqatë dhe jo shteti, por se kur ra tërmeti ka lëvizur dhe uji është turbulluar.
Ata shtojnë se rruga deri në hyrje të fshatit është vetëm 1 kilometër dhe se mirëmbajtjen minimale e bëjnë vetë banorët, por se shiu i radhës e prish sërish.
Një i ri shtoi se është i ikur dhe se vjen nga emigrimi vetëm për të takuar familjarët, rri mesatarisht një muaj dhe largohet sërish pasi nuk ka me se të merret në fshat.
Ndërsa për urën e Zogut banorët thonë se një vit e gjysmë ka që është dëmtuar, duke kujtuar se më parë vinin njerëzit për dasma e filmime.
Energjia elektrike vjen shumë e dobët, dy frigoriferë mi ka djegur nga korrenti i dobët. Është sa një qiri.



